
Vision to Victory përcakton drejtimin, prioritetet dhe objektivat për zhvillimin afatgjatë të futbollit në të gjitha nivelet
Federata Shqiptare e Futbollit do të prezantojë zyrtarisht të hënën, më 26 janar, në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit” strategjinë e re zhvillimore për periudhën 2026–2030, të quajtur Vision to Victory. Dokumenti përfaqëson planin kryesor strategjik që do të udhëheqë zhvillimin e futbollit shqiptar në katër vitet e ardhshme.
Strategjia synon ndërtimin e një modeli të qëndrueshëm dhe afatgjatë, duke forcuar futbollin në të gjitha hallkat e tij, nga baza dhe edukimi sportiv, te garat kombëtare, ekipet përfaqësuese, futbolli i vajzave, infrastruktura, qeverisja, marrëdhëniet me publikun dhe përgjegjësia sociale.
Në një periudhë ku futbolli shqiptar ka shënuar rritje të ndjeshme dhe ka fituar eksperiencë të vlefshme si në arenën kombëtare ashtu edhe në atë ndërkombëtare, FSHF synon ta konsolidojë këtë rrugëtim përmes një vizioni të qartë, të strukturuar dhe në përputhje me standardet e UEFA-s dhe FIFA-s.
Gjatë prezantimit do të bëhen publike shtyllat strategjike, objektivat kryesore dhe prioritetet që do të udhëheqin politikat dhe investimet e futbollit shqiptar deri në vitin 2030. Sipas FSHF-së, Vision to Victory nuk është thjesht një dokument orientues, por një angazhim konkret për zhvillimin e futbollit mbi baza të forta, të planifikuara dhe të qëndrueshme, me synimin për rezultate afatgjata dhe rritje të vazhdueshme të cilësisë.
