Historia tragjike e Sibela Abedinit, 27 vjeçe, e cila humbi jetën më 10 shkurt 2024 pasi ra nga kati i katërt i një pallati në Kamëz, vijon të ngrejë pikëpyetje të forta mbi rrethanat e ngjarjes. Për këtë çështje, Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” ndaj Altin Çokut, 39 vjeç, i dyshuar se përmes publikimit të një fotografie intime në rrjete sociale i ka shkaktuar viktimës një gjendje të rëndë psikologjike. Çoku i ka mohuar akuzat, duke pretenduar se fotografia është publikuar nga një person tjetër me inicialet A.H., nga Fushë-Miloti, dhe se imazhi është i montuar, ndërsa arrestimin e tij e ka cilësuar të paligjshëm.
“Më është bërë padrejtësi e madhe nga shteti shqiptar. Unë kam kërkuar të zbardhet çështje në themel e Sibela Abedinit, të vihen në dispozicion të gjitha mesazhet. Jam i gatshëm të bëj publike të gjitha mesazhet. Në jemi njohur në një lokal. Ato fjalë që ka dhënë Daniela nuk janë të vërteta. I shpreh ngushëllimet familjes Abedini. Por nuk është asgjë e vërtetë Më ka ardhur në tavolinë, më tha a mund të bëjmë një foto, po i thashë. Ajo fotoja që është publike është e montuar. Unë e kam shpirtin plagë, sepse mediat kanë hedhur baltë mbi familjen time. Unë nuk ka natë që nuk e laj jastëkun me lot. Unë nuk flas me familjen time, unë nuk kam fytyrë të flas. Kemi pasur një lidhje, por jo lidhje intime. Kemi shkëmbyer disa mesazhe. Kur ka dalë fotoja në tik tok kam qenë Live. Më ka shkuar Sibela dhe më ka thënë, ca është? I kam thënë ‘duan të ba bëjnë gropën dy dhe mua, kanë publikuar foton tonë të montuar.”, tha Altin Qoku.
Nga ana tjetër, Prokuroria mbështet dyshimin se shpërndarja e fotos ka qenë faktori kryesor që çoi në përkeqësimin emocional të Sibelës, ndërsa familjarët e saj hedhin poshtë versionin e vetëvrasjes. Nëna e viktimës ka deklaruar publikisht se vajza e saj është vrarë dhe se ndaj saj është ushtruar presion i vazhdueshëm psikologjik, duke akuzuar drejtpërdrejt Altin Çokun. Sibela Abedini ishte e martuar në Kosovë dhe nënë e një vajze 2-vjeçare, për shkak të konflikteve familjare ajo ishte kthyer të jetonte pranë prindërve në Kamëz. Hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes vijojnë, ndërsa familja kërkon drejtësi dhe përgjigje të qarta mbi atë që e çoi në humbjen e jetës së 27-vjeçares. Joq
