Ligji i ri për barazinë gjinore ndez debate: Përkrahje evropiane apo rrezik për traditat shqiptare?

Projektligji zgjeron konceptin e gjinisë përtej ndarjes burrë–grua, duke përfshirë nocione mbi identitetin gjinor dhe orientimin seksual, ndërsa prindërit e kritikët flasin për cenim të traditës dhe edukimit.
Shqipëria po përballet me një debat të ashpër pas prezantimit të projektligjit të ri “Për barazinë gjinore”. Dokumenti, i paraqitur si një hap drejt përafrimit me standardet evropiane, synon të zgjerojë përkufizimin e barazisë përtej ndarjes tradicionale burrë–grua, duke futur koncepte të reja si gjinia gjithëpërfshirëse, identiteti gjinor, orientimi seksual dhe shprehja gjinore.
Përkrahësit e shohin ligjin si emancipues dhe të domosdoshëm për të respektuar diversitetin. Megjithatë, kritikët e konsiderojnë një portë të hapur për futjen e gjinisë së tretë dhe zbatimin e agjendës LGBT në Shqipëri, duke e cilësuar si rrezik për themelet kulturore e morale të shoqërisë.
Projektligji parashikon gjithashtu futjen e edukimit gjinor në kurrikulat shkollore, me synimin për të ndërgjegjësuar brezat e rinj mbi diversitetin. Në të thuhet se institucionet arsimore duhet të përfshijnë njohuri mbi barazinë dhe ndalimin e diskriminimit gjinor. Por shumë prindër shprehen të shqetësuar, duke e parë këtë si një formë indoktrinimi që u mëson fëmijëve se gjinia nuk është një realitet biologjik, por një zgjedhje personale.
Ndryshimet e propozuara parashikojnë gjithashtu përdorimin e gjuhës me ndjeshmëri gjinore në institucionet publike dhe private, duke ndaluar shprehje që konsiderohen seksiste. Kritikët paralajmërojnë se kjo mund të çojë në kufizim të lirisë së shprehjes, pasi çdo mendim që bie ndesh me agjendën LGBT rrezikon të etiketohet si diskriminim.