Paris Hilton ka folur hapur për videon intime që u publikua pa pëlqimin e saj në vitin 2004, duke theksuar se ajo që për publikun u trajtua si skandal, për të ishte një formë e rëndë abuzimi.
Ajo mbajti një fjalim në Capitol Hill, të enjten më 22 janar, e shoqëruar nga kongresmenet Alexandria Ocasio-Cortez dhe Laurel Lee, në kuadër të mbështetjes së ligjit DEFIANCE Act, i cili u miratua nga Senati javën e kaluar.
Ky ligj synon të mbrojë viktimat e përmbajtjes seksuale të krijuar ose të manipuluar me inteligjencë artificiale, duke u dhënë atyre të drejtën të ndjekin penalisht autorët dhe shpërndarësit.
Gjatë fjalimit, Paris Hilton u rikthye në një nga periudhat më të dhimbshme të jetës së saj, duke deklaruar:
“Kur isha 19 vjeçe, një video private e imja u shpërnda në mbarë botën pa pëlqimin tim. Bota e quajti skandal. Nuk ishte. Ishte abuzim”.
Ajo theksoi se në atë kohë nuk ekzistonin ligje që ta mbronin, as terminologji për të përshkruar atë që kishte përjetuar:
“Interneti ishte ende i ri, ashtu si edhe mizoria që e shoqëronte”.
Paris Hilton foli edhe për pasojat emocionale që përjetoi, duke theksuar se u përball me tallje, etiketime dhe poshtërim publik:
“Më quajtën me emra, qeshën me mua dhe më bënë objekt talljeje. E shitën dhimbjen time për klikime dhe më pas më thanë të heshtja dhe të vazhdoja përpara. Askush nuk pa panikun, turpin dhe poshtërimin që ndjeja”.
Ajo sqaroi gjithashtu se nuk ka përfituar asnjëherë financiarisht nga videoja, ndërsa shumën prej 400 mijë dollarësh që mori si dëmshpërblim nga ish-partnerin e saj, Rick Salomon, i cili kishte publikuar materialin intim, e dhuroi për bamirësi.
Në fund të fjalimit, Paris Hilton theksoi se sot ndihet më e fortë dhe e çliruar nga ndjenja e turpit:
“Të them të vërtetën më ndihmoi të shërohem. Jam krenare që qëndroj këtu pa turp”.
Ajo e mbylli fjalën e saj me një mesazh të fortë: “Unë jam Paris Hilton, grua, bashkëshorte, nënë, e mbijetuar dhe ajo që më ndodhi ishte e gabuar. Do të vazhdoj të flas për të mbrojtur çdo grua dhe çdo vajzë, tani dhe në të ardhmen”.
Në librin e saj autobiografik “Paris: The Memoir”, botuar në vitin 2024, Paris Hilton ka rrëfyer se ishte ndjerë nën presion për të lejuar xhirimin e videos intime, duke besuar se ajo do të mbetej private.
Ajo pranon se konsumoi alkool dhe barna qetësuese për të përballuar situatën, ndërsa në momentin që videoja u publikua, ajo kishte kohë që ishte ndarë nga Salomon.
