
Takimi historik synon hapjen e një rruge negociatash për paqe të qëndrueshme pas gati katër vitesh konflikti të përgjakshëm
Shtetet e Bashkuara, Ukraina dhe Rusia kanë zhvilluar për herë të parë bisedime trepalëshe me synimin për t’i dhënë fund luftës së nisur nga Moska, duke shënuar një moment të ri diplomatik në përpjekjet për zgjidhjen e konfliktit më të madh në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.
Lajmi u konfirmua nga sekretari i Këshillit Kombëtar të Sigurisë dhe Mbrojtjes së Ukrainës, Rustem Umerov, i cili bëri të ditur se takimi u fokusua në përcaktimin e parametrave për përfundimin e luftës dhe në ndërtimin e një procesi negociator që synon paqe dinjitoze dhe afatgjatë.
Në bisedime morën pjesë përfaqësues të lartë nga të treja palët. Delegacioni amerikan përfshinte emra kyç të administratës së presidentit Donald Tramp, ndërsa Ukraina u përfaqësua nga figura të rëndësishme politike dhe të sigurisë, përfshirë drejtues të parlamentit dhe zyrës së presidentit Volodymyr Zelensky. Nga ana ruse, sipas Kremlinit, delegacioni udhëhiqej nga shefi i Drejtorisë Kryesore të Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë ruse, Igor Kostyukov.
Sipas burimeve ruse, gjatë takimit u diskutuan edhe çështje të ndjeshme si krijimi i zonave tampon dhe mekanizma të ndryshëm kontrolli për garantimin e sigurisë, krahas temave të tjera strategjike që lidhen me përfundimin e luftës.
Takimi u zhvillua në prani të presidentit të Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Mohamed bin Zayed Al Nahyan, duke nënvizuar rolin ndërmjetësues të Emirateve në këtë proces delikat diplomatik.
Umerov bëri të ditur se bisedimet pritet të vijojnë edhe në ditët në vijim, duke rritur pritshmëritë për një rifillim serioz të dialogut mes palëve, pas një periudhe të gjatë ngërçi diplomatik dhe përshkallëzimi ushtarak.
