Jeta personale e shefit të njohur të kuzhinës, Alfio Rrotani, duket se po merr të njëjtin shkëlqim si karriera e tij.
Prej kohësh ai është në një lidhje me Joana Gjonajn, inxhiniere ndërtimi, e cila ka preferuar të qëndrojë larg zhurmës mediatike, por shumë pranë botës së tij.
Tani çifti ndodhet në pragun e një kapitulli të ri: po bëhen prindër për herë të parë. Në një intervistë Alfio dhe Joana kanë ndarë detaje nga historia e tyre e dashurisë dhe emocionet e pritjes së ëmbël.
Sipas tyre, gjithçka nuk nisi si romancë, por si një bashkëpunim pune, i krijuar përmes miqve të përbashkët.
Takimet profesionale u shndërruan në biseda të gjata, humor, dhe një lloj mirëkuptimi që nuk imponohet, por vjen vetë.
Ata theksuan se baza e raportit të tyre janë vlerat e përbashkëta, respekti dhe parimet familjare, gjëra që, sipas tyre, i kanë bërë të ndihen të sigurt me njëri-tjetrin dhe të mendojnë seriozisht për të ardhmen.
Joana ndodhet në javët e fundit të shtatzënisë dhe çifti pret një vajzë.
Lajmi, siç rrëfyen ata, ka qenë i dëshiruar dhe i menduar nga të dy.
Momentin kur mësuan për shtatzëninë e përshkruajnë si një shpërthim emocionesh: lot gëzimi, qetësi dhe një ndjesi e rrallë se gjithçka po merr kuptim.
E veçanta është se prindërit e ardhshëm kanë vendosur që vogëlushja të mbajë dy emra.
Njëri prej tyre do të jetë Maria, si një homazh prekës për gjyshen e ndjerë të Alfios, një figurë që, sipas tij, ka lënë gjurmë të thella në jetën e tij.
Emri i parë, ndërkohë, do të mbahet surprizë dhe do të zbulohet vetëm pas lindjes.
