Federata Shqiptare e Futbollit ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta për futbollistin e KF Tiranës, Freddy Alvarez, dhe familjen e tij, pas ndarjes tragjike nga jeta të vajzës së tij.
Në shenjë respekti dhe solidariteti në këtë moment të rëndë, si dhe në dakordësi me klubet KF Tirana dhe KF Flamurtari, FSHF ka vendosur shtyrjen e ndeshjes Tirana–Flamurtari, e cila ishte planifikuar të zhvillohej sot në orën 13:30 në stadiumin “Selman Stërmasi”.
Sipas njoftimit zyrtar, takimi do të luhet nesër, në të njëjtën orë, 13:30, po në stadiumin “Selman Stërmasi”.
Federata Shqiptare e Futbollit ka theksuar se qëndron pranë Freddy Alvarez, familjes së tij dhe klubit KF Tirana në këtë moment zie dhe dhimbjeje të thellë.
