![]()
Deri në 149 milionë llogari të kompromentuara sipas ekspertëve të sigurisë, Google thotë se bëhet fjalë për të dhëna të mbledhura nga pajisje të infektuara me malware
Përdoruesit e Gmail në mbarë botën janë vënë në alarm pas raportimeve për një rrjedhje masive të të dhënave, ku pretendohet se janë ekspozuar rreth 149 milionë kredenciale hyrjeje nga shërbime të ndryshme online. Pjesa më e madhe e tyre lidhet me Gmail, me rreth 48 milionë llogari të prekura, ndërsa në listë përfshihen edhe rrjete sociale dhe platforma të tjera të njohura.
Sipas studiuesit të sigurisë kibernetike Jeremiah Fowler, është zbuluar një databazë e madhe që përmbante adresa emaili, emra përdoruesish, fjalëkalime dhe lidhje hyrjeje për një gamë shumë të gjerë shërbimesh digjitale. Të dhënat, sipas tij, i përkasin viktimave nga vende të ndryshme të botës dhe përfshijnë pothuajse çdo lloj llogarie online.
Pas Gmail, në listën e llogarive të prekura renditen Facebook, Instagram, Yahoo Mail, Netflix, Outlook, si edhe shërbime të tjera si iCloud, TikTok, Binance dhe email-e universitare. Ekspertët theksojnë se kjo nuk është domosdoshmërisht pasojë e një sulmi të drejtpërdrejtë ndaj platformave, por e infektimit të pajisjeve personale me programe keqdashëse që vjedhin të dhëna.
Nga ana e saj, Google ka reaguar duke sqaruar se databaza e raportuar përbën një përmbledhje të të dhënave të mbledhura nga malware të tipit infostealer, të agreguara me kalimin e kohës. Kompania deklaron se monitoron vazhdimisht aktivitete të tilla dhe se ka sisteme automatike që bllokojnë llogaritë dhe detyrojnë ndryshimin e fjalëkalimit kur identifikohen kredenciale të ekspozuara.
Ekspertët e sigurisë u bëjnë thirrje përdoruesve që të kontrollojnë menjëherë llogaritë e tyre, të ndryshojnë fjalëkalimet dhe të aktivizojnë verifikimin me dy hapa. Po ashtu, rekomandohet përditësimi i sistemit operativ, instalimi i programeve të sigurisë dhe kontrolli i aplikacioneve apo shtesave të dyshimta në pajisje.
Ky rast rikthen vëmendjen te rreziku real i sigurisë digjitale dhe nevoja për kujdes maksimal në përdorimin e fjalëkalimeve dhe mbrojtjen e të dhënave personale në internet.
