
Kryeministria nën masa të rrepta sigurie, mbi 1300 efektivë policie në terren ndërsa opozita kërkon largimin e Edi Ramës
Partia Demokratike është rikthyer këtë të shtunë në bulevardin Dëshmorët e Kombit, ku ka nisur protesta e parë kombëtare e opozitës për vitin 2026. Tubimi, i parashikuar të fillojë në orën 17:00, zhvillohet vetëm pak minuta pas mobilizimit të forcave të shumta policore dhe blindimit të godinës së Kryeministrisë.
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, e ka cilësuar protestën si një moment përballjeje qytetare me qeverinë, duke e përshkruar atë si ditën e gjyqit qytetar ndaj pushtetit aktual. Sipas tij, tubimi synon rrëzimin e qeverisë dhe hapjen e rrugës për zgjedhje të parakohshme, të garantuara nga një qeveri teknike.
Protesta vjen pas një serie tubimesh të mëparshme dhe foltoresh të zhvilluara para Kryeministrisë, ndërsa opozita e konsideron këtë marshim si një provë force përballë mazhorancës së drejtuar nga Edi Rama.
Nga ana tjetër, Policia e Shtetit ka vendosur në gatishmëri rreth 1350 efektivë, përfshirë forcat e ndërhyrjes së shpejtë, njësitë Shqiponja dhe strukturat e rendit publik. Efektivët janë pajisur me mjete mbrojtëse dhe janë pozicionuar në pikat kryesore përreth Kryeministrisë, ndërsa janë vënë në dispozicion edhe mjete speciale për menaxhimin e turmës në rast incidentesh.
Autoritetet kanë bërë thirrje për qetësi dhe respektim të ligjit, duke paralajmëruar se çdo akt dhune apo cenim i rendit publik do të përballet me reagim të menjëhershëm. Paralelisht, edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka këshilluar qytetarët amerikanë të shmangin zonën e protestës dhe të tregojnë kujdes të shtuar për shkak të rrezikut të përshkallëzimit të situatës.
Ndërsa mbështetësit e opozitës mblidhen nga qytete të ndryshme të vendit, protesta pritet të shërbejë si një test i rëndësishëm politik për opozitën dhe një sinjal për faktorët ndërkombëtarë, në një moment kur tensionet mes qeverisë dhe opozitës vijojnë të mbeten të larta.
