
Një person i plagosur dërgohet drejt Tiranës, policia heton shkaqet e përplasjes
Një aksident rrugor është regjistruar këtë pasdite në qytetin e Bulqizës, ku një ambulancë është përplasur me një automjet tjetër, duke shkaktuar panik dhe ndërprerje të qarkullimit në zonë.
Sipas informacioneve paraprake, si pasojë e përplasjes është lënduar të paktën një person që ndodhej në ambulancën e Peshkopisë. I plagosuri është transportuar fillimisht në Spitalin e Bulqizës dhe pritet të niset drejt Tiranës për trajtim më të specializuar mjekësor.
Deri në këto momente, autoritetet nuk kanë konfirmuar numrin e saktë të personave të lënduar nga aksidenti. Në vendngjarje ndodhet policia, e cila po kryen veprimet hetimore për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e përplasjes.
Ngjarja vjen si një tjetër alarm për sigurinë rrugore, ndërsa pritet një njoftim zyrtar me më shumë detaje nga autoritetet përkatëse.
