
Pas shpërndarjes së protestës pranë Kryeministrisë, situata tensionohet edhe te Kuvendi, raportohet për probleme shëndetësore nga ekspozimi ndaj gazit
Pas përfundimit të protestës së opozitës përpara Kryeministrisë, një pjesë e protestuesve u zhvendosën në zonën pranë Kuvendit të Shqipërisë, ku situata u tensionua sërish. Në këtë fazë të mbrëmjes, forcat e rendit përdorën gaz lotsjellës, i cili u përhap jo vetëm drejt protestuesve, por edhe në zonat përreth qendrës së kryeqytetit.
Sipas dëshmive nga terreni, gazi ka prekur edhe kalimtarë të rastit dhe banorë të zonës, duke shkaktuar shqetësime për shëndetin dhe ndotje të ajrit. Qytetarë të ndryshëm raportojnë vështirësi në frymëmarrje, irritim të syve dhe ndjesi mbytjeje, ndërsa shprehin shqetësim për përdorimin pa kriter të lëndëve kimike në hapësira publike të frekuentuara.
Situata është bërë edhe më problematike pasi, sipas informacioneve paraprake, një qytetar është shoqëruar me autoambulancë për shkak të gjendjes shëndetësore të rënduar nga ekspozimi ndaj gazit lotsjellës në qendër të Tiranës.
Ngjarja ka ngritur reagime dhe shqetësime të forta mbi mënyrën e menaxhimit të tubimeve dhe pasojat që përdorimi i gazit lotsjellës ka mbi shëndetin publik, veçanërisht kur përhapet përtej zonës së protestës. Autoritetet nuk kanë dhënë ende një reagim zyrtar mbi numrin e personave të prekur apo masat e mëtejshme që do të ndërmerren.
