Nja 80 xhandarë kishin zanë pritë në të dyja anët e urës së Ribnicës, karshi prefekturës, afër kishës katolike. Unë me dy vëllezërit, sipas lajmërimit të kasnecit, po ktheheshim për në shtëpi, te axha (Isa); patrulla në krye të urës, që po priste ardhjen e axhës, na ndali. Kur oficeri urdhëron ndalimin, xhandarët me pushkët gati të qëllojnë pyesin: Kush asht’ Isa Boletini? Por oficeri ndërhyn duke u thënë: Mos shtini, nuk është asnji nga këta! Por ne nuk kishim mundësi të lajmërojnë axhën për vendimin e malazezëve, pasi me përdhunë, nën kërcënimin e armëve mbyllemi në nji shtëpi dhe mbahemi të bllokuar. Në këtë kohë Isa Boletini, vet i tetë, kishte hedhur hapat e parë në dërrasat e urës së Ribnicës pa e dalluar se edhe nga pas krahëve xhandarët e mbyllën udhën që të mos kishte asnji mundësi daljeje.
Nji oficer komandues u kërkon shqiptarëve të dorëzojnë armët, por Isa Boletini kundërshton: Jo besa! S’ja kam dorëzue, as krajlit, as mbretit. Dhe nxjerr armën. I pari që shtie ishte njifarë Pero Buriq nga Vasojeviqët. Menjiherë flakë për flakë përgjigjet edhe Isa Boletini dhe të tijtë me nga dy revolver në duar. Brenda disa minutave, të rrethuar nga të gjitha anët nga dhjetëra xhandarë, vriten të gjithë: Isa Boletini dhe dy të bijtë, Halili dhe Zahidi, që ishte student në Vjenë, dy nipërit, Jonuzi dhe Halili, Hajdar Selim Radisheva, kunati i Isait, djali i vëllait të Hajdarit, Idriz Bilimi dhe Misin Bala nga Isniqi. Nga ana tjetër mbetën të vrarë dymbëdhjetë xhandarë dhe plagosen dyfishi. Shfaqja u sodit nga disa ministra malazezë të strehuar në prefekturën e qytetit.
—
Në historiografinë shqiptare është spekuluar shpesh se rreth vrasjes së Isa Boletinit, në Podgoricë më 1916, ka pasur bashkëpunim ose dekonspirim edhe nga shqiptarë. Eqrem bej Vlora, në kujtimet e tij, flet për tradhtinë si fenomen të përhapur ndër shqiptarë, duke përmendur bashkëpunimin e individëve me pushtete të huaja për interesa personale. Sejfi Vllamasi, në veprën “Ballafaqime politike”; përshkruan ekzistencën e informatorëve dhe spiunëve shqiptarë që shpesh dorëzonin patriotë te pushtuesit. Ndërsa Bedri Pejani, në shkrimet e tij publicistike, përdor gjuhë politike për të dënuar “tradhtarët e kombit” dhe rënien e figurave kombëtare në rrethana pabesie. Prandaj, kjo çështje duhet të hetohet dhe analizohet seriozisht mbi bazën e fakteve, dokumenteve dhe burimeve arkivore, në mënyrë që të dalë e vërteta historike.
Isa Boletini ishte njeri që nuk e kuptonte lirinë si fjalë, por si barrë që mbahet me armë dhe me nder. Vdiq ashtu si jetoi: pa u fshehur dhe pa u përkulur. Lavdi!
Damir Dibra
