
Sekuestrohen mbi 1 kg kokainë, armë zjarri, shuma të mëdha parash dhe automjeti luksoz në operacionin Cargo 2
Policia e Tiranës ka goditur një tjetër grup të përfshirë në trafikimin e lëndëve narkotike, duke arrestuar tre persona të dyshuar si furnitorë të kokainës për disa rrjete shpërndarjeje në kryeqytet. Operacioni policor i koduar Cargo 2 u finalizua pas një hetimi të mirëorganizuar nga Specialistët e Seksionit të Hetimit të Narkotikëve.
Të arrestuar në flagrancë janë shtetasit E. M., 26 vjeç, I. C., 33 vjeç dhe A. K., 32 vjeç, të tre banues në Tiranë. Ata u ndaluan në Unazën e Madhe, pranë rrethrrotullimit të Tegut, teksa udhëtonin me një automjet tip Escalade. Gjatë kontrollit në mjet, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një pako me lëndë të dyshuar narkotike të llojit kokainë, me peshë 1 kg e 36.6 gramë.
Nga hetimet rezulton se tre të rinjtë vepronin në bashkëpunim, duke siguruar kokainë dhe më pas duke furnizuar disa grupe shpërndarësish në zona të ndryshme të kryeqytetit. Aktiviteti i tyre dyshohet se ishte i mirëstrukturuar dhe me shtrirje të gjerë në Tiranë.
Gjatë kontrollit të banesës së shtetasit A. K., policia ka sekuestruar një arsenal të konsiderueshëm provash materiale: një armë zjarri pistoletë, një armë gjahu, municion luftarak, si dhe shuma të mëdha parash, konkretisht 121 mijë euro, 60 milionë lekë dhe 5 mijë paund. Po ashtu janë sekuestruar automjeti luksoz dhe pesë aparate celularë, të cilat dyshohet se përdoreshin për aktivitetin kriminal.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore, ndërsa hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë rrjet të shpërndarjes së drogës në Tiranë.
