
Operacioni Cargo 2 çon në sekuestrimin e mbi 120 mijë eurove, armëve, municioneve dhe më shumë se një kilogrami kokainë
Tre persona kanë përfunduar në pranga në Tiranë, të dyshuar si furnitorë të disa grupeve shpërndarëse të kokainës, pas një operacioni policor të koduar Cargo 2, të zhvilluar nga Seksioni i Hetimit të Narkotikëve.
Të arrestuarit janë Elvi Meta, 26 vjeç, Igli Canaj, 33 vjeç dhe Alban Kopaçi, 32 vjeç, të tre banues në Tiranë. Sipas policisë, ata vepronin në bashkëpunim me njëri-tjetrin, duke siguruar lëndë narkotike të llojit kokainë dhe më pas e shpërndanin në zona të ndryshme të kryeqytetit përmes rrjeteve të tjera.
Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë ndaluar një automjet tip Escalade në Unazën e Madhe, pranë rrethrrotullimit të TEG-ut, ku gjatë kontrollit u gjet një pako me lëndë të dyshuar narkotike të llojit kokainë me peshë 1 kilogram e 36.6 gramë.
Kontrollet u shtrinë edhe në banesën e njërit prej të arrestuarve, ku u sekuestruan një armë zjarri pistoletë, një armë gjahu, municion luftarak, 121 mijë euro, rreth 60 milionë lekë dhe 5 mijë paund, si edhe pesë aparate celularë dhe automjeti i përdorur për aktivitetin kriminal.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore, ndërsa hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të aktivitetit dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.
