
I riu u gjet pa ndjenja në qeli dhe u dërgua me urgjencë në spital, por nuk arriti të mbijetojë
Një 21-vjeçar, i paraburgosur prej rreth dy vitesh për vepra penale të lidhura me grabitjen dhe narkotikët, ka ndërruar jetë në spital pas një përkeqësimi të papritur të gjendjes shëndetësore.
Sipas të dhënave zyrtare, viktima është Nicolae Ionnut Erion Deliver, i lindur më 23 mars 2005 në Rumani dhe banues në Shkodër. Ai ishte arrestuar më 7 tetor 2024 dhe ishte akomoduar në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Shkodër me masën e sigurisë arrest në burg.
Paraditen e 25 janarit 2026, personeli i shërbimit ka konstatuar se i riu nuk kishte dalë nga qelia dhe qëndronte i shtrirë në shtrat. Menjëherë është njoftuar personeli shëndetësor i institucionit, i cili ka vlerësuar se ai kishte parametra jetësorë të ulët dhe ka dhënë ndihmën e parë mjekësore.
Pas vlerësimit fillestar, është vendosur dërgimi i menjëhershëm i të paraburgosurit në urgjencën e spitalit rajonal. Ai është transportuar drejt Spitalit të Koplikut, si struktura më e afërt shëndetësore, ku ka marrë ndihmë mjekësore emergjente, por mjekët kanë konstatuar ndarjen nga jeta.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve bën me dije se janë njoftuar menjëherë organet kompetente dhe se institucioni po bashkëpunon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes. Shkaku i vdekjes pritet të përcaktohet nga ekspertiza mjeko-ligjore.
