
Policia gjen 19 doza kanabisi të gatshme për shitje në një lokal bilardoje, materialet i kalojnë Prokurorisë së Dibrës
Një tjetër rast i shpërndarjes së lëndëve narkotike në doza është goditur nga Policia e Dibrës. Si rezultat i kontrolleve të intensifikuara, është arrestuar një 38-vjeçar në qytetin e Klosit, i cili dyshohet se ushtronte aktivitetin e paligjshëm në ambientet e biznesit të tij.
Sipas njoftimit zyrtar, specialistët për Hetimin e Narkotikëve të DVP Dibër, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Mat, kanë vënë në pranga shtetasin F. P., banues në fshatin Suç, Klos. Ai u kap në flagrancë në ambientet e një bilardoje, ku gjatë kontrollit iu gjetën 19 doza kanabisi të gatshme për shitje.
Gjatë veprimeve procedurale, policia sekuestroi lëndën narkotike si edhe një aparat celular, të cilat do të shërbejnë si prova materiale në hetim.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Dibrës, e cila po vijon veprimet e mëtejshme ligjore për këtë rast.
