
Dy infermiere janë infektuar në një spital pranë Kalkutës, ndërsa autoritetet vendosin karantinë dhe masa të shtuara mbikëqyrjeje për shkak të virusit pa kurë dhe me shkallë të lartë vdekshmërie
Autoritetet shëndetësore në Indi kanë konfirmuar dy raste të infektimit me virusin Nipah, një sëmundje zoonotike e rrezikshme që transmetohet nga kafshët te njerëzit dhe ka një shkallë të lartë vdekshmërie. Rastet janë identifikuar në një spital privat pranë qytetit të Kalkutës, në shtetin e Bengalit Perëndimor.
Sipas mediave vendase dhe burimeve zyrtare, dy infermiere që punonin në të njëjtin repart janë infektuar me virusin, ndërsa njëra prej tyre ndodhet në gjendje kritike dhe në koma. Të dyja kishin shfaqur temperaturë të lartë dhe probleme të rënda respiratore disa ditë pas kontaktit me një pacient që vuante nga simptoma të ngjashme dhe që ndërroi jetë para se të testohej për Nipah. Autoritetet dyshojnë se ky pacient është rasti fillestar i infektimit.
Deri më 20 janar, rreth 180 persona janë testuar për virusin në zonë, ndërsa 20 persona që kanë pasur kontakt të ngushtë me të infektuarat janë vendosur në karantinë për 21 ditë. Deri tani, të gjitha testet kanë rezultuar negative, por monitorimi do të vijojë deri në përfundim të periudhës së izolimit.
Në hetim janë përfshirë struktura vendore dhe kombëtare, përfshirë Qendrën Kombëtare të Kontrollit të Sëmundjeve. Paralelisht, autoritetet kanë nisur testimin e lakuriqëve të natës në kopshtin zoologjik të Alipore dhe në zona të tjera të Bengalit Perëndimor, pasi këto kafshë konsiderohen rezervuari kryesor natyror i virusit Nipah.
Organizata Botërore e Shëndetësisë bën me dije se virusi Nipah mund të shkaktojë simptoma që variojnë nga infeksione pa shenja klinike deri në sëmundje të rënda respiratore dhe encefalit fatal. Aktualisht nuk ekziston as vaksinë dhe as trajtim specifik për këtë virus, ndërsa mjekët mund të ofrojnë vetëm trajtim simptomatik.
Ministria e Shëndetësisë së Indisë u ka bërë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes, të shmangin kontaktin me kafshë të egra, të lajnë frutat para konsumit dhe të mos vizitojnë ambiente të braktisura ku mund të ketë lakuriqë nate, duke theksuar se situata po menaxhohet me prioritet të lartë dhe pa krijuar panik.
