
Të paktën 15 persona kanë humbur jetën dhe 28 rezultojnë të zhdukur pasi trageti MV Trisha Kerstin 3 u mbyt në jug të vendit, ndërsa operacionet e kërkim-shpëtimit vijojnë
Një tragjedi e rëndë detare është regjistruar në jug të Filipines, ku një traget me më shumë se 350 persona në bord është fundosur gjatë orëve të para të mëngjesit të së hënës. Autoritetet njoftojnë se të paktën 15 persona kanë humbur jetën, ndërsa 28 të tjerë rezultojnë ende të zhdukur.
Sipas Rojës Bregdetare, anija MV Trisha Kerstin 3 lëshoi sinjal emergjence rreth orës 01:50, më shumë se katër orë pasi ishte nisur nga Zamboanga City, në skajin jugperëndimor të ishullit Mindanao. Ngjarja ndodhi rreth 5 kilometra në lindje të ishullit Baluk-Baluk, pjesë e provincës Basilan.
Më shumë se 300 pasagjerë janë shpëtuar deri më tani dhe janë dërguar në stacione të Rojës Bregdetare në Zamboanga dhe Isabela City. Autoritetet bëjnë me dije se në operacion janë përfshirë edhe forcat detare dhe ajrore, ndërsa një avion i Rojës Bregdetare është nisur për të ndihmuar kërkimet.
Ekipet e emergjencës lokale raportojnë vështirësi serioze për shkak të numrit të madh të të mbijetuarve dhe mungesës së stafit mjekësor. Të paktën 18 persona janë transportuar në spital për trajtim.
Shkaqet e fundosjes mbeten ende të paqarta. Roja Bregdetare ka nisur një hetim zyrtar për aksidentin detar dhe ka theksuar se, sipas të dhënave paraprake, anija nuk ishte e mbingarkuar. Prioriteti kryesor, sipas autoriteteve, mbetet gjetja e personave të zhdukur.
Filipinet, një arkipelag me rreth 7 mijë ishuj, kanë një histori të gjatë aksidentesh detare, ku tragetet ndër-ishullore mbeten mjeti kryesor i transportit, shpesh në kushte sigurie të diskutueshme.
