
Zonja e Parë organizon një shfaqje ekskluzive të dokumentarit të saj në Shtëpinë e Bardhë, duke e quajtur moment historik
Zonja e Parë e Shteteve të Bashkuara, Melania Tramp, ka organizuar një shfaqje private dhe luksoze të dokumentarit të saj të ri në ambientet e Shtëpisë së Bardhë, duke e cilësuar ngjarjen si një moment historik. Eventi u zhvillua më 24 janar dhe mblodhi rreth saj familjarë, miq të afërt dhe figura të njohura nga politika, arti dhe biznesi.
Në një postim në rrjetin X, Melania shprehu mirënjohje për të pranishmit dhe theksoi se dokumentari përfaqëson histori në lëvizje, një rrëfim personal mbi rrugëtimin e saj drejt rolit të Zonjës së Parë. Filmi, i titulluar Melania, ndjek ditët e para të vitit 2025 dhe përgatitjet për inaugurimin e dytë të bashkëshortit të saj, Donald Tramp.
Dokumentari përfshin pamje të papublikuara më parë nga kthimi i familjes në Uashington, udhëtime me Air Force One dhe momente familjare me djalin Barron. Projekti është realizuar nga Amazon MGM Studios dhe, sipas raportimeve, të drejtat e tij janë blerë për rreth 40 milionë dollarë, një shumë e pazakontë për një dokumentar.
Në listën e të ftuarve në shfaqjen me kod veshjeje black-tie ishin figura të njohura ndërkombëtare, përfshirë drejtues të Amazon, personalitete publike dhe mbretërore, duke e kthyer eventin në një shfaqje prestigji dhe influence.
Megjithatë, kjo ngjarje erdhi në një moment delikat për administratën Tramp, e cila po përballet me kritika të ashpra pas një operacioni federal në Minnesota, ku humbi jetën një infermier 37-vjeçar. Ngjarja ka nxitur reagime politike dhe publike, duke krijuar kontrast të fortë mes atmosferës glamuroze në Shtëpinë e Bardhë dhe tensioneve sociale në terren.
Dokumentari Melania pritet të ketë premierën zyrtare më 30 janar, ndërsa një shfaqje tjetër është planifikuar një natë më parë në qendrën e sapoemërtuar Trump Kennedy Center, duke e vendosur edhe më shumë Zonjën e Parë në qendër të vëmendjes publike dhe politike.
