
I shpallur në kërkim nga SPAK dhe Interpol, 39-vjeçari u arrestua në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe pritet të ekstradohet në Shqipëri për akuza të rënda kriminale
Policia e Shtetit ka dhënë detaje të reja mbi arrestimin në Dubai të Bujar Sefës, një prej emrave të njohur të botës së krimit, i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga SPAK dhe Interpol Tirana. Operacioni u finalizua falë bashkëpunimit mes strukturave shqiptare të rendit dhe homologëve në Emiratet e Bashkuara Arabe, në kuadër të operacionit të koduar The Wanted.
Sipas njoftimit zyrtar, në pranga ka rënë shtetasi B. S., alias B. X., 39 vjeç, ndaj të cilit Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar kishte caktuar që në maj të vitit 2023 masën e sigurisë arrest në burg. Ai akuzohet për një sërë veprash të rënda penale, mes tyre kultivimi i bimëve narkotike, prodhimi dhe shitja e narkotikëve, drejtimi i një grupi të strukturuar kriminal, si dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve.
Autoritetet bëjnë me dije se Sefa dyshohet si drejtues i një grupi kriminal që në vitin 2020 ka kultivuar bimë narkotike në zonën e Cudhit, në Krujë, duke qenë pjesë e grupit të njohur si Rraja. Hetimet tregojnë se aktiviteti i tij kriminal shtrihej edhe jashtë vendit, me lidhje të forta në Itali dhe vende të tjera europiane.
Mediat italiane kishin raportuar disa ditë më parë për arrestimin e një bosi shqiptar të drogës në Dubai, pa zbuluar identitetin, duke theksuar se ai ishte zbuluar pasi kishte ftuar familjarët për festat e fundvitit. Sipas të njëjtave burime, Sefa akuzohet si kreu i një organizate të madhe narkotrafiku që operonte mes Shqipërisë, Italisë dhe vendeve të Europës Veriore, duke trafikuar kokainë, marijuanë dhe hashash deri në Holandë.
39-vjeçari ishte në arrati prej vitit 2019 dhe më herët ishte dënuar në Itali me 8 vite e 7 muaj burg. Aktualisht, Interpol Tirana dhe Interpol Abu Dhabi po bashkëpunojnë ngushtësisht për përfundimin e procedurave të ekstradimit të tij drejt Shqipërisë, ku pritet të përballet me drejtësinë.
