
Apeli i Posaçëm Antikorrupsion do të vendosë sot nëse do të lërë në fuqi dënimin me 1 vit burg dhe ndalimin 5-vjeçar nga funksionet publike, apo do ta prishë vendimin e Shkallës së Parë
Kryebashkiaku socialist i Rrogozhinës, Edison Memolla, është paraqitur këtë të hënë në Apelin e Posaçëm Antikorrupsion për t’u njohur me vendimin që pritet të shpallet lidhur me dënimin e tij. Memolla është dënuar në Shkallën e Parë me 1 vit burg dhe me 5 vite ndalim për ushtrimin e funksioneve publike, ndërsa çështja ndodhet tashmë në fazën përfundimtare të gjykimit në Apel.
Pas disa seancave të dështuara për shkaqe të ndryshme, trupa gjykuese pritet të vendosë nëse do të lërë në fuqi vendimin ekzistues, do ta prishë atë ose do ta rikthejë çështjen për rigjykim në Shkallën e Parë. Vendimi i sotëm konsiderohet vendimtar për fatin penal dhe politik të kryebashkiakut të Rrogozhinës.
Në të njëjtën dosje, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dënuar edhe shtetasit Blerim Xhamani me 1 vit burg dhe Isuf Toskun me 8 muaj burg, ku për këtë të fundit dënimi u pezullua dhe u vendos në shërbim prove. Pjesë e dosjes ishte edhe Ndriçim Tafxhafa, i cili u dënua me 1 vit burg për korrupsion aktiv në zgjedhje.
Edison Memolla u shpall fajtor nga GJKKO më 24 janar 2025, pas një hetimi që nisi nga indicie të dala nga një emision investigativ. Sipas akuzës, audio-përgjimet zbuluan se Memolla, në kohën kur ishte ende në detyrë dhe njëkohësisht kandidat për kryetar bashkie, kishte ndërhyrë te një punonjës i OSHEE-së për të mos i ndërprerë energjinë elektrike një abonenti debitor.
Prokuroria e Posaçme argumentoi se ndërhyrja kishte për qëllim ndikimin e votës së qytetarit në favor të Memollës gjatë zgjedhjeve të pjesshme lokale të 6 marsit 2022. Përveç dënimit me burg, Shkalla e Parë vendosi edhe ndalimin e ushtrimit të çdo funksioni publik për një periudhë 5-vjeçare.
Vendimi i Apelit pritet të përcaktojë përfundimisht nëse dënimi i kryebashkiakut të Rrogozhinës do të mbetet në fuqi apo nëse çështja do të marrë një tjetër rrjedhë ligjore.
