Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, vlerësoi Shqipërinë si një nga vendet që, sipas tij, qëndron “në anën e duhur të historisë”, gjatë një seance të posaçme plenare në Knesset, të mbajtur në nder të kryeministrit shqiptar Edi Rama.
Netanyahu vlerësoi vendin tonë për mbështetjen e ofruar për hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Ai tha se “Shqipëria ishte ishulli i paqes në oqeanin e të keqes”.
Duke iu drejtuar Ramës si “mik i mirë”, Netanyahu theksoi se marrëdhëniet mes dy vendeve janë më të forta se kurrë, si në nivel politik ashtu edhe personal.
“Miku im i mirë, kryeministri i Shqipërisë, mirë se erdhe në Izrael, mirë se erdhe në Jerusalem, kryeqytetin e përjetshëm të Izraelit. Sot flamuri shqiptar valëvitet në rrugët e Jerusalemit. Është një pamje që ngroh zemrën.”
Netanyahu kujtoi se deri disa dekada më parë, një skenë e tillë do të kishte qenë e paimagjinueshme, ndërsa sot Shqipëria dhe Izraeli, sipas tij, janë më afër se kurrë.
“Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Izraelit janë më të ngushta se kurrë, si në nivel politik, ashtu edhe në atë personal.”
Ai vlerësoi mbështetjen e hapur të Shqipërisë për Izraelin në arenën ndërkombëtare, duke e cilësuar atë si një qëndrim parimor përballë, sipas tij, dezinformimit dhe gënjeshtrave.
“Miqësia jonë shprehet në mbështetjen e hapur të Shqipërisë për Izraelin në forumet ndërkombëtare dhe në qëndrimin në anën e së vërtetës kundër gënjeshtrave që hidhen ndaj nesh.”
Gjatë fjalimit të tij, ai premtoi mbështetje financiare për Shqipërinë.
“Jemi gati t’ju ndihmojmë me çdo gjë. Mbështetje për siguri, luftën kundër terrorit, në teknologji, reformat tregtare dhe turizëm. Njerëzit izraelitë janë të zgjuar, e dinë çfarë shohin, çfarë zgjedhin dhe e kanë njohur si një destinacion turistik. Një vend i shkëlqyer për izraelitët dhe shohim një rritje gati me 1 mijë % që vijnë vizitojnë Shqipërinë, edhe falë shijes suaj estetike, po e bëni Shqipërinë më të bukur”, tha Netanyahu.
