
Pistoletë dhe municion luftarak zbulohen në bagazhin e një shtetasi shqiptar rezident në Itali gjatë kontrollit me skaner
Një rast i tentativës për trafikim të armëve të zjarrit nga Shqipëria drejt Italisë është goditur nga policia në aeroportin e Rinass, ku në pranga ka përfunduar një shtetas shqiptar 30 vjeç, rezident në Itali.
Sipas njoftimit zyrtar, gjatë kontrollit të bagazheve përmes skanerit, shërbimet e policisë kanë konstatuar një armë zjarri pistoletë së bashku me municion luftarak, të fshehura në valixhen e këtij shtetasi. Arma dhe municioni janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale.
Në vijim të veprimeve procedurale, 30-vjeçari është arrestuar në flagrancë, ndërsa materialet hetimore i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranës për veprime të mëtejshme ligjore.
Ai dyshohet për kryerjen e veprës penale Trafikimi i armëve dhe i municionit, ndërsa hetimet vijojnë për të zbuluar nëse ka persona të tjerë të përfshirë në këtë tentativë kriminale.
