
Pas viteve pa aktivitet dhe problemeve financiare, klubi historik përjashtohet nga struktura rajonale dhe largohet përfundimisht nga skena zyrtare
Zyrtarisht KF Luftëtari nuk ekziston më as në dokumente, duke i dhënë fund një historie afro 100-vjeçare të futbollit në Gjirokastër. Pas rreth pesë vitesh pa aktivitet sportiv dhe pasojave të dënimit nga FIFA, klubi është shkrirë zyrtarisht, duke lënë pas vetëm kujtimet dhe emocionet e tifozëve bluzinj.
I themeluar fillimisht në vitin 1926 me emrin Shqiponja dhe i konsoliduar si klub në vitin 1929, Luftëtari ka qenë një nga simbolet sportive të qytetit të gurtë. Në dekada, klubi ka nxjerrë emra të njohur të futbollit shqiptar si Theodhori Kalluci, Sefedin Braho, Lefter Millo, Arjan Xhumba, Arjan Bellaj, Altin Haxhi, Astrit Boni dhe Gjergji Kalluci.
Vendimi për mbylljen u formalizua në mbledhjen e fundit të Shoqata Rajonale e Futbollit Gjirokastër, zhvilluar më 26 janar 2026. Me 9 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, u vendos përjashtimi zyrtar i KF Luftëtarit nga anëtarësia, për shkak të mbylljes së aktivitetit sportiv.
Prej vitit 2021, pas dënimit nga FIFA për borxhe ndaj ish-zyrtarëve, klubi nuk mori më pjesë në asnjë aktivitet futbollistik. Bashkia e Gjirokastrës, si pronare e klubit, vendosi shkrirjen formale të tij dhe krijimin e një strukture të re, Akademia e Futbollit Luftëtari, e cila aktualisht përfaqëson qytetin dhe merr pjesë në Kategorinë e Parë të futbollit shqiptar.
Me këtë vendim mbyllet një kapitull i rëndësishëm i historisë sportive të Gjirokastrës, ndërsa trashëgimia emocionale e KF Luftëtarit mbetet e gjallë te brezat e tifozëve që u rritën me ngjyrat bluzinj.
