
Historia shqiptare rikthen në kujtesë një standard moral që i mungon politikës së sotme
Më 27 janar 1945, kur portat e kampit të Auschwitz-Birkenau u hapën dhe bota pa fytyrën e vërtetë të së keqes, njerëzimi u përball me pasojën më të rëndë të bindjes së verbër, frikës dhe bashkëpunimit politik me krimin. Holokausti, i realizuar nga regjimi nazist, shfarosi rreth 6 milionë hebrenj dhe u bë simboli absolut i dështimit moral të një epoke. Në vitin 2005, kjo datë u shpall nga Kombet e Bashkuara Ditë Ndërkombëtare e Përkujtimit të Holokaustit, jo vetëm për të kujtuar viktimat, por për të paralajmëruar brezat.
Në këtë errësirë globale, Shqipëria mbetet një përjashtim i rrallë. Jo thjesht për shkak të solidaritetit qytetar, por sepse në një kohë pushtimi, presioni dhe rreziku ekstrem, udhëheqësit shqiptarë të asaj periudhe refuzuan të bëhen vegla të politikave çnjerëzore. Ndryshe nga shumë shtete që dorëzuan listat, ligjet dhe ndërgjegjen, autoritetet shqiptare zgjodhën të mos i binden urdhrit të padrejtë.
Mehdi Frashëri, si kryeministër gjatë pushtimit italian, refuzoi miratimin e ligjeve racore dhe mbrojti parimin se shteti shqiptar nuk diskriminon mbi baza etnike apo fetare. Ky ishte një akt politik, jo simbolik, i marrë nën presion të drejtpërdrejtë nga një regjim pushtues. Një vendim që kërkonte guxim dhe vetëdije se pushteti nuk justifikon humbjen e njerëzimit.
Gjatë pushtimit gjerman, madje edhe Xhafer Deva, në funksionin e ministrit të Brendshëm, nuk ndërtoi një aparat shtetëror për dorëzimin e hebrenjve, siç ndodhi në vende të tjera të Evropës. Administrata shqiptare vazhdoi t’i trajtonte hebrenjtë si të mbrojtur, duke i pajisur me dokumente dhe duke mbyllur sytë aty ku ligji i pushtuesit kërkonte dorëzim.
Ernest Koliqi, si ministër i Arsimit, kontribuoi në ruajtjen e një fryme kulturore dhe institucionale që shërbeu si mbulesë për shpërndarjen dhe strehimin e hebrenjve në zona të sigurta. Ndërsa më herët, Mbreti Zog I kishte vendosur një precedent shtetëror të qartë, duke pranuar refugjatë hebrenj dhe duke refuzuar hapur çdo formë antisemitizmi, duke e bërë Shqipërinë një strehë në një Evropë që po mbyllte dyert.
Falë këtyre vendimeve politike, Shqipëria mbeti i vetmi vend në kontinent ku, në fund të Luftës së Dytë Botërore, numri i hebrenjve ishte më i madh se para saj. Asnjë hebre nuk iu dorëzua autoriteteve naziste. Kjo nuk ishte rastësi, por rezultat i një politike që ende kishte dinjitet.
Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit, kjo histori ngrihet si një akuzë e heshtur ndaj politikës shqiptare, ku shpesh shohim politikanë servilë, të gatshëm të bëhen palë me çdo ndërkombëtar, çdo interes dhe çdo presion, edhe kur këto bien ndesh me interesin kombëtar, dinjitetin dhe njerëzimin. Ndryshe nga e shkuara, sot justifikimi quhet diplomaci, por thelbi mbetet i njëjtë: mungesë guximi për të thënë jo.
Holokausti na mëson se krimet më të mëdha nuk ndodhin vetëm nga urrejtja, por nga bindja dhe nënshtrimi. Historia shqiptare e Luftës së Dytë Botërore dëshmon se edhe një vend i vogël, i varfër dhe i pushtuar, mund të zgjedhë të mos përkulet. Kjo është trashëgimia që duhet kujtuar, jo si krenari boshe, por si standard moral, sepse politika që harron njerëzimin, herët a vonë, prodhon tragjedi.
Shqipëria e asaj kohe zgjodhi jetën, në një epokë kur nderi kishte ende peshë dhe vendimet mateshin me pasoja njerëzore.
Shkruar nga Borea Lisi
