
Punonjësit kundërshtojnë transferimin drejt Tiranës dhe denoncojnë presione pas firmosjes së peticionit
Shkrirja e Kadastrës së Vlorës dhe zhvendosja e saj drejt Tiranës ka sjellë përplasje dhe tensione të forta mes punonjësve të institucionit, duke krijuar pasiguri për vazhdimësinë e punës në qytetin bregdetar.
Pas urdhrit të dhënë nga Lorena Goxhobelli, punonjësit e Kadastrës në Vlorë kanë firmosur një peticion ku shprehin kundërshtimin e tyre ndaj zhvendosjes në kryeqytet. Sipas burimeve për mediat, menjëherë pas këtij veprimi, ndaj tyre është ushtruar presion për të nisur përgatitjet e transferimit të dokumentacionit drejt Tiranës.
Në këtë situatë është pezulluar nga detyra zv.drejtori i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në Vlorë, Sokol Shehaj, i cili sipas raportimeve ka mbështetur punonjësit në nismën e tyre përmes peticionit.
Punonjësit kanë deklaruar se zhvillimet e fundit kanë krijuar një klimë tensioni dhe pasigurie, duke rrezikuar normalitetin e punës dhe të shërbimit ndaj qytetarëve. Ata kanë vendosur të pezullojnë përkohësisht aktivitetin, deri në sqarimin e plotë të situatës, duke theksuar se nuk do të largohen nga institucioni pavarësisht urdhrit për transferimin e të gjithë dokumentacionit drejt Tiranës brenda datës 31 janar.
Situata mbetet e hapur, ndërsa priten reagime dhe sqarime zyrtare nga drejtuesit e institucionit për fatin e Kadastrës së Vlorës dhe të punonjësve të saj.
