Patriarku Ekumenik Bartolomeu e ka etiketuar pushtimin e Ukrainës një konflikt “ekspansionist” dhe “absolutisht satanik”, duke hedhur poshtë kategorikisht përpjekjet e Kremlinit për ta paraqitur dhunën si një luftë të shenjtë.
Duke folur për gazetën TA NEA, Kreu shpirtëror i të krishterëve ortodoksë, nuk i kurseu fjalët, kur diskutoi justifikimin teologjik të ofruar nga Kisha Ortodokse Ruse për pushtimin. Ai shprehu trishtim të thellë që figurat kishtare i janë nënshtruar diktateve të autoriteteve politike.
“Jo, pra, nuk është një luftë e shenjtë. Lufta e tyre është ekspansioniste, është absolutisht satanike, rezultat i njerëzve të kotë të varur nga opiumi i pushtetit,” deklaroi Bartolomeu.
Ai e krahasoi rezistencën ukrainase me “Davidin kundër Goliathit”, duke lavdëruar trimërinë e atyre që mbrojnë atdheun e tyre kundër forcave që kërkojnë ta çojnë kombin në errësirën e poshtërimit, shfrytëzimit dhe skllavërisë.
“Më trembni? Jo, jo! Vështirë se kam frikë nga propaganda ruse. Nuk kam frikë nga fyerjet, shpifjet, sjelljet e pahijshme, apo nga ndonjë gjë tjetër që mund të jenë duke planifikuar,” tha ai.
Ai akuzoi Moskën për përdorimin e taktikave të propagandës staliniste dhe krijimin e një hibridi të drejtuar nga Rusia që shtrembëron Ortodoksinë e vërtetë.
“Ata duhet të kenë frikë nga Dita e Gjykimit, nëse besojnë në të”, shtoi ai.
Përtej konfliktit në Ukrainë, Patriarku përmendi vizitën e tij të fundit në Shtëpinë e Bardhë, duke përshkruar si një atmosferë e ngrohtë në diskutimet e tij me Presidentin Donald Trump dhe Zëvendëspresidentin JD Vance. Ai shprehu shpresën se administrata amerikane do të mbetet e përkushtuar ndaj misionit ekumenik të Kishës Nënë.
Më pas, Bartolomeu ndau një moment të rrallë optimizmi në lidhje me Shkollën Teologjike të Halkit, e cila është mbyllur që nga viti 1971. Pas një iniciative nga Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan, dialogu midis Patriarkanës dhe Ministrisë Turke të Arsimit Kombëtar është intensifikuar.
“Unë besoj se është bërë përparim i konsiderueshëm”, zbuloi Patriarku, duke vënë në dukje se rinovime të gjera janë duke u zhvilluar aktualisht.
Ai tha se besim se deri në verën e vitit 2026, shkolla më në fund mund të marrë lejen e saj të funksionimit, duke i dhënë fund një heshtjeje 55-vjeçare. Duke përfunduar vërejtjet e tij mbi situatën e paqëndrueshme globale, Patriarku ofroi një paralajmërim, ku tha se lufta është një disfatë për njerëzimin.
Ai u bëri thirrje udhëheqësve botërorë të braktisin egoizmin në favor të së drejtës ndërkombëtare, duke vënë në dukje se çdo përballje që minon paqen është një tradhti ndaj personit njerëzor./
