Uncategorized

Skandali i Pashalimanit: Qeveria i “fal” tokë strategjike një biznesmeni italian nën hetim

25 hektarë nga baza ushtarake dhe zona e mbrojtur e Pashalimanit i jepen një biznesmeni italian nën hetim, mes dyshimeve për ndërhyrje politike dhe grabitje të pasurisë publike.

Një nga pasuritë më të çmuara dhe më të mbrojtura të Shqipërisë, Pashalimani, po shndërrohet në pronë private të një biznesmeni të huaj të dyshuar për mashtrime financiare. Me një vendim të Komitetit të Investimeve Strategjike, të drejtuar nga kryeministri Edi Rama, 25 hektarë nga territori i bazës ushtarake iu dhanë italianit Dante Mazzitelli, një ndërtues nën hetim në Itali, për falimentim mashtrues me dëm mbi 20 milionë euro.

Vendimi përfshin një zonë të ndjeshme që dikur ishte pjesë e bazës detare dhe që, vetëm pak muaj më parë, u hoq në mënyrë të fshehtë nga Plani i Përhapjes së Forcave të Armatosura me dekret të presidentit Bajram Begaj. Kjo hapësirë, e mbrojtur nga ligji dhe që mbart rëndësi strategjike për mbrojtjen kombëtare, do të kthehet në një resort luksoz.

Skandali bëhet edhe më i rëndë pasi resorti prek monumente të kulturës dhe arkeologjisë si qytetin antik të Orikumit, një zonë e shpallur Park Arkeologjik me status Monument Kulture të Kategorisë së Parë, si dhe pjesë të Rezervatit Natyror të Karaburunit. Pra, jo vetëm pasuri ushtarake, por edhe trashëgimi kombëtare po tjetërsohet në emër të investimeve strategjike.

Përtej shkeljeve të hapura ligjore, hije dyshimi rëndojnë mbi këtë marrëveshje. Mazzitelli është shfaqur publikisht në pushime me ish-kryeministrin italian Massimo D’Alema, i cili është përmendur prej kohësh në mediat italiane për interesa në ndërtimin e resorteve në bregdetin shqiptar. Nëse ky projekt është pjesë e një skeme më të gjerë të ndërmjetësuar nga politikanë të fuqishëm, kjo mbetet një pyetje që shteti shqiptar nuk po guxon t’i japë përgjigje.

Në thelb, ky është një shembull tipik i grabitjes së pronave publike për interesa të ngushta dhe të dyshimta. Në një kohë kur propaganda qeveritare flet për algoritme anti-korrupsion dhe reforma transparence, realiteti tregon se pasuritë më strategjike të vendit po shiten ose falen në tavolinë për biznesmenë me dosje penale.

LEAVE A RESPONSE

Your email address will not be published. Required fields are marked *