
Presidenti amerikan rrit presionin ndaj regjimit iranian duke folur për një flotë gjigante drejt Iranit, ndërsa zyrtarët e Teheranit thonë se përplasja ushtarake është më e mundshme se negociatat
Donald Tramp ka rikthyer me tone të ashpra kërcënimet ndaj Iranit, duke deklaruar se një armadë e fuqishme ushtarake amerikane është nisur drejt brigjeve iraniane. Në një reagim në rrjetet sociale, Tramp tha se flota po lëviz me shpejtësi, fuqi dhe vendosmëri, duke e cilësuar atë më të madhe se ajo e dërguar më parë drejt Venezuelës dhe të udhëhequr nga aeroplanmbajtësja Abraham Lincoln.
Sipas presidentit amerikan, kjo lëvizje përbën një paralajmërim të fundit për Teheranin, në mënyrë që të pranojë negociata dhe të arrijë një marrëveshje të drejtë që përjashton armët bërthamore. Tramp theksoi se nëse Irani nuk ulet në tryezën e bisedimeve, një tjetër sulm do të ishte shumë më i ashpër se operacionet e mëparshme ushtarake.
Reagimi nga Teherani ka qenë po aq i fortë. Autoritetet iraniane kanë deklaruar se në kushtet aktuale, përplasja ushtarake me Shtetet e Bashkuara shihet si më e mundshme sesa rifillimi i negociatave. Zëvendësministri i Jashtëm i Iranit, Kazem Ghariabadi, ka bërë të ditur se vendi po përgatitet për skenarin më të keq dhe se prioritet mbetet mbrojtja e territorit dhe sovranitetit kombëtar.
Përshkallëzimi i deklaratave nga të dyja palët rrit ndjeshëm tensionet në Lindjen e Mesme, ndërsa vëzhguesit ndërkombëtarë paralajmërojnë se çdo gabim apo përshkallëzim i mëtejshëm mund të çojë në një konflikt të hapur me pasoja të rënda për stabilitetin rajonal dhe global.
