🇦🇱🇺🇸Eva Millona ka hyrë në histori si shqiptarja e parë e lindur në Shqipëri që emërohet në një nga nivelet më të larta të administratës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ajo është emëruar Assistant Secretary në Department of Homeland Security (DHS), një nga institucionet kyçe të qeverisë amerikane.
Millona është një juriste e formuar në Shqipëri. Ajo ka studiuar Drejtësi në Universitetin e Tiranës në vitet ’80 dhe, pas diplomimit, ka ushtruar profesionin e avokates në fushën e së drejtës civile dhe penale. Më pas, ajo u emërua gjyqtarja më e re në historinë e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor të Tiranës, ku shërbeu nga viti 1989 deri në 1992.
Pas emigrimit në Shtetet e Bashkuara, Eva Millona vijoi angazhimin e saj profesional dhe publik, duke drejtuar programin e sistemimit të refugjatëve në Massachusetts Qendrore. Në vitin 1999, ajo iu bashkua MIRA – Massachusetts Immigrant and Refugee Advocacy Coalition, fillimisht si Drejtoreshë e Politikave dhe Avokimit, më pas si Zëvendësdrejtore Ekzekutive.
Në vitin 2008, Millona u emërua Drejtore Ekzekutive e MIRA, pozicion që e konsolidoi si një nga zërat më të rëndësishëm në SHBA për politikat e emigracionit, integrimin e emigrantëve dhe refugjatëve. Sot, ajo njihet gjerësisht në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar si eksperte dhe lidere në fushën e politikave të emigracionit.
