55-vjeçari nga Larissa me shumë gjasa kishte një problem me zemrën dhe thuhet se i ishte caktuar një ndërhyrje kirurgjikale.
“E marta e zezë” për PAOK-un nuk u ndal te shtatë viktimat e aksidentit tragjik në Rumani, pasi një tjetër tifoz i klubit nga Selaniku ndërroi jetë kur mësoi për aksidentin. Zemra e 55-vjeçarit në Larissa nuk e përballoi lajmin tragjik, duke ndalur.
Sipas medieve greke, mes shtatë viktimave ishte edhe një mik i tij, ndaj 55-vjeçari i cili kishte caktuar një operacion në zemër pas pak ditësh, nuk mundi të përballonte tragjedinë.
Selaniku në zi
Një trishtim i patreguar mbizotëron në Selanik për ngjarjen tragjike. Si një homazh i vogël për kujtimin e tifozëve të PAOK-ut që humbën jetën në aksidentin me makinë në Rumani, Bashkia e Selanikut ka shtyrë të gjitha aktivitetet e planifikuara deri të premten e ardhshme, më 30 janar.
Për më tepër, me vendim të kryetarit të bashkisë Stelios Angeloudis, flamujt e Bashkisë së Selanikut në hyrje të bashkisë do të ulen në gjysmë shtizë, në shenjë trishtimi për këtë tragjedi të papërshkrueshme dhe respekti për këta të rinj që donin vetëm të ishin në krah të ekipit të tyre të preferuar.
Dje, me lule në duar, trajneri Razvan Lucescu, lojtarët e PAOK-ut, anëtarët e ekipit të futbollit dhe qindra tifozë shkuan në stadiumin ‘Toumba’ për të dërguar një mesazh mbështetjeje për familjet e viktimave.
Tifozët e organizuar të ekipit grek vendosën ta mbanin sektorin mik në stadiumin e Lyonit të mbyllur dhe disa morën rrugën për t’u kthyer në Greqi, ndërsa të tjerë u drejtuan me makinë për në Timisoara për të mbështetur tre të lënduarit. Shumë ekipe, shoqata tifozësh dhe sportistë shkruan mesazhe ngushëllimi.
UEFA nuk dha leje që ndeshja e nesërme e vlefshme për Europa League të shtyhet dhe klubi grek do jetë në fushë, por PAOK-u pezulloi gjithë aktivitetet për ekipet e moshave.
