Shkencëtarët atomikë e kanë vendosur orën e fundit të botës për këtë vit më afër mesnatës se kurrë më parë.
Buletini i Shkencëtarëve Atomikë e vendosi vetëm 85 sekonda para mesnatës, që është simbolikisht pika e asgjësimit. Ora e Kiametit demonstron sa afër është njerëzimi me katastrofën globale, me mesnatën që përfaqëson apokalipsin.
Kjo është katër sekonda më afër mesnatës se sa ishte vendosur vitin e kaluar, dhe hera e tretë në katër vitet e fundit që shkencëtarët e zhvendosën orën më afër mesnatës.
Ata argumentojnë vendimin duke përmendur sjelljen agresive të fuqive bërthamore si Rusia, Kina dhe SHBA-të, dobësimin e kontrollit të armëve bërthamore, konfliktet në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme. Shqetësime të tjera janë edhe inteligjenca artificiale, ndryshimet klimatike dhe kërcënimet biologjike.
“Sigurisht, fundit të botës ka të bëjë me rreziqet globale dhe ajo që kemi parë është një dështim global në lidership”, tha Alexandra Bell – eksperte bërthamore.
Bell përmend edhe tensionet e vazhdueshme në Azi, kërcënimet e Kinës ndaj Tajvanit dhe tensionet në rritje në Hemisferën Perëndimore pas rikthimit të presidentit Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë një vit më parë.
Organizata jofitimprurëse e krijoi orën e fundit të botës në vitin 1947 gjatë tensioneve të Luftës së Ftohtë, që pasuan Luftën e Dytë Botërore, për të paralajmëruar publikun se sa afër ishte njerëzimi me shkatërrimin e botës.
