
Deputeti socialist denoncon në Kuvend shpërndarjen selektive të parave publike për sportin, duke e cilësuar Komitetin Olimpik si përfitues pa rezultate konkrete
Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka ngritur akuza të forta në Kuvend lidhur me mënyrën se si shpërndahen fondet publike për sportin në Shqipëri, duke vënë në qendër të kritikave Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar dhe politikat buxhetore të ndjekura nga qeveria.
Gjatë diskutimit për Aktin Normativ të shpërndarjes së fondeve, Braçe u shpreh se futbolli, sporti me masivitetin më të madh dhe me ndikimin më pozitiv në imazhin e vendit, po lihet pa asnjë mbështetje nga shteti, ndërsa miliona euro derdhen çdo vit në llogaritë e KOKSH-it pa prodhuar rezultate konkrete.
Sipas deputetit socialist, Komiteti Olimpik përfiton shuma të konsiderueshme financiare vetëm për kuota dhe pjesëmarrje formale në aktivitete, pa sjellë zhvillim real të sportit në bazë apo përmirësim të performancës së atletëve shqiptarë në arenën ndërkombëtare.
Braçe theksoi se politikat buxhetore për sportin nuk mund të bazohen në preferenca personale apo afeksione individuale për sporte të caktuara, por duhet të orientohen drejt interesit publik, masivitetit dhe rezultateve konkrete. Ai shtoi se sporte elitare si futbolli mbahen gjallë vetëm nga investimet private të disa presidentëve klubesh, ndërsa shteti nuk ofron asnjë lehtësi apo mbështetje institucionale.
Deputeti ngriti shqetësimin se një pjesë e fondeve publike përfundojnë te struktura dhe klube të lidhura me pushtetin, pa ndikuar në zhvillimin e sportit për të rinjtë dhe komunitetin e gjerë sportiv.
Në përfundim, Braçe kërkoi rishikim të mënyrës së shpërndarjes së fondeve për sportin, duke theksuar se paratë e qytetarëve duhet të shkojnë aty ku ka masivitet, transparencë dhe rezultate reale, e jo të përdoren për interesa të ngushta nën siglën e institucioneve sportive.
