Aktualitet Bota

Greva e 18 shtatorit: Lice të bllokuar në Paris e Marsejë, “operacion breshkë” në autostrada

Protesta e sindikatave paralizon shkollat dhe rrugët kryesore, duke shënuar fillimin e një dite mobilizimi të gjerë kundër reformave të qeverisë.

Greva kombëtare në Francë ka nisur me tensione dhe aksione të shumta në disa qytete kryesore. Në Paris dhe Marsejë, protestuesit kanë bllokuar hyrjet e disa liceve, duke paralizuar mësimin dhe duke shënuar një fillim të fuqishëm të mobilizimit.

Ndërkohë, në jug të vendit, në autostradat A57 dhe A50, demonstruesit kanë organizuar të ashtuquajturin “opération escargot”, “protestat-breshkë”. Ky është një stil proteste ku pjesëmarrësit bllokojnë trafikun duke lëvizur me makinat e tyre shumë ngadalë, duke shkaktuar radhë të gjata dhe kaos në qarkullim. Kjo metodë përdoret shpesh në Francë për të bërë presion ndaj autoriteteve pa vendosur barrikada fizike, por duke paralizuar jetën e përditshme të qytetarëve.

Aksionet e sotme janë pjesë e mobilizimit të gjerë sindikal kundër reformave buxhetore të qeverisë, të cilat sindikatat i konsiderojnë si brutale dhe të dëmshme për shërbimet publike dhe shtresat më të brishta të shoqërisë. Protesta të tjera pritet të mbahen gjatë gjithë ditës në qytete të ndryshme të vendit.

LEAVE A RESPONSE

Your email address will not be published. Required fields are marked *