
Hetimet zbulojnë një skemë korrupsioni për zbutjen e masës së sigurisë, ku ish-prokurorë dhe një biznesmen akuzohen për ndërhyrje të paligjshme në drejtësi
SPAK ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim dy ish-prokurorë të Sarandës, të dyshuar për përfshirje në një aferë korrupsioni që lidhet me zbutjen e masës së sigurisë ndaj një të pandehuri.
Sipas organit të akuzës, ish-prokurori Kledian Llaho akuzohet për korrupsion, ndërsa ish-prokurori Çlirim Shahini, i cili aktualisht ushtron profesionin e avokatit, për ushtrim të ndikimit të paligjshëm. Ata dyshohet se kanë kërkuar dhe përfituar para në këmbim të ndërhyrjes në procedurat gjyqësore për favorizimin e Pando Papuçit, i shpallur në kërkim për ndërtim pa leje.
Papuci, i cili kishte arritur t’i shmangej drejtësisë për rreth dy vite, u arrestua dhe u paraqit në gjykatë për vlerësimin e masës së sigurisë. Brenda një ore, me kërkesë të prokurorisë, masa iu zbut nga gjykata, duke ngritur dyshime serioze për ndërhyrje të paligjshme.
Hetimet tregojnë se Llaho dyshohet se ka përfituar 30 mijë euro përmes biznesmenit Vasil Bakalli, i cili sipas SPAK ka vepruar si sekser dhe i ka marrë paratë në Greqi. Ndërkohë, Shahini dyshohet se ka marrë 25 mijë euro për të kërkuar masën detyrim paraqitje. Në total, sipas akuzës, janë paguar 55 mijë euro për zbutjen e masës së sigurisë.
SPAK thekson se provat e administruara tregojnë ekzistencën e një skeme të organizuar korrupsioni, ku funksionarë të drejtësisë kanë kërkuar përfitime monetare për favorizim në trajtimin e çështjeve penale. Për gjyqtaren që miratoi masën e sigurisë nuk u provua përgjegjësi penale, ndërsa nën akuzë është edhe biznesmeni Bakalli për korrupsion.
