
Tetë kandidatë intervistohen në Ministrinë e Brendshme, ndërsa renditja finale do t’i propozohet Kryeministrit për emërimin përfundimtar
Në Ministrinë e Brendshme është zhvilluar këtë të enjte procesi i intervistimit të kandidatëve që kanë aplikuar për postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Gardës së Republikës, pas dorëheqjes së Ermal Onuzit.
Tetë kandidatë janë paraqitur para komisionit të vlerësimit dhe janë intervistuar sipas rendit alfabetik: Arian Sopiqoti, Denis Deliu, Faik Basha, Ilirjan Hasanaj, Liman Hoxha, Simon Zereci, Vasil Çuni dhe Zaje Osma. Komisioni përbëhet nga zëvendësministri i Brendshëm, Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Brendshme dhe Drejtori i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.
Gjatë seancave dëgjimore, kandidatët kanë prezantuar platformat dhe vizionin e tyre për drejtimin e Gardës së Republikës, ndërsa anëtarët e komisionit u kanë drejtuar pyetje në përputhje me kriteret zyrtare të vlerësimit.
Në përfundim të procesit, komisioni do të kryejë vlerësimin me pikë dhe renditjen e kandidatëve, bazuar në dokumentacionin e paraqitur, informacionin e administruar dhe performancën gjatë intervistës. Renditja përfundimtare, së bashku me vlerësimet me shkrim, do t’i përcillet ministrit të Brendshëm, i cili do t’ia paraqesë Kryeministrit për vendimin final mbi emërimin.
