
Socialistët i drejtohen Kryetarit të Kuvendit me argumentin se opozita ka munguar në katër mbledhje radhazi, duke bllokuar punën e komisionit
Partia Socialiste ka kërkuar zyrtarisht që të marrë shumicën dhe drejtimin e Komisionit për Reformën Administrative-Territoriale, pas bojkotit të vazhdueshëm nga Partia Demokratike.
Kërkesa është bërë përmes një shkrese drejtuar kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, ku socialistët argumentojnë se mungesa e opozitës ka penguar seriozisht funksionimin e komisionit.
Sipas PS, nga katër mbledhje të njoftuara zyrtarisht që nga krijimi i komisionit në tetor 2025, vetëm një është zhvilluar me pjesëmarrje të plotë të opozitës. Në dy mbledhje radhazi, më 17 dhjetor 2025 dhe 22 janar 2026, komisioni nuk ka mundur të mblidhet për shkak të mungesës së kuorumit, pasi përfaqësuesit e opozitës nuk janë paraqitur.
Socialistët theksojnë se reforma administrative-territoriale është një prioritet kyç i programit qeverisës Shqipëria 2030 dhe një kusht i rëndësishëm për integrimin europian. Për këtë arsye, PS propozon ndryshimin e përbërjes dhe mënyrës së funksionimit të Komisionit, me qëllim që puna të vijojë brenda afateve të parashikuara dhe reforma të miratohet një vit përpara zgjedhjeve vendore të vitit 2027.
