
Kreu i ushtrisë iraniane thotë se vendi është gati për çdo sulm, ndërsa Franca mohon akuzat për pasivitet dhe BE shqyrton sanksione të reja
Tensionet mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara po përshkallëzohen ndjeshëm, ndërsa autoritetet iraniane paralajmërojnë një reagim të fortë ushtarak në rast sulmi. Shefi i ushtrisë iraniane, gjenerali Amir Hatami, deklaroi se forcat e armatosura janë gati për një “kundërpërgjigje të shpejtë dhe shkatërruese” ndaj çdo kërcënimi apo ndërhyrjeje ushtarake amerikane.
Sipas mediave shtetërore iraniane, ushtria ka pajisur njësitë e saj luftarake me rreth 1 000 dronë strategjikë të prodhuar në bashkëpunim me Ministrinë e Mbrojtjes. Kjo masë, sipas Teheranit, vjen si përgjigje ndaj kërcënimeve të reja dhe mësimeve të nxjerra nga përplasja e fundit 12-ditore me Izraelin.
Ndërkohë, Turqia ka ofruar të luajë rolin e ndërmjetësit mes Teheranit dhe Uashingtonit, por ka paralajmëruar se është gati të forcojë kufirin në rast të një sulmi amerikan ndaj Iranit. Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, pritet të zhvillojë një vizitë zyrtare në Turqi, ku do të diskutohet situata aktuale dhe mundësitë për uljen e tensioneve.
Nga ana tjetër, Franca ka mohuar akuzat për pasivitet në lidhje me Iranin. Zëdhënësja e qeverisë franceze deklaroi se politika e Parisit nuk është e lidhur me fatin e shtetasve francezë të bllokuar në Teheran dhe se po merren masa konkrete në nivel europian. Ajo konfirmoi se Bashkimi Europian po shqyrton përfshirjen e Gardës së Revolucionit iranian në listën e organizatave terroriste.
Situata mbetet e tensionuar edhe në arenën ndërkombëtare, pas deklaratave kërcënuese të presidentit amerikan Donald Tramp, i cili ka paralajmëruar se “koha po mbaron” për Iranin. Në këtë klimë të pasigurt, komuniteti ndërkombëtar po ndjek me shqetësim zhvillimet, ndërsa frika për një përplasje të drejtpërdrejtë ushtarake po rritet.
