
Qytetarët e Mbretërisë së Bashkuar do të mund të udhëtojnë drejt Kinës pa vizë për qëndrime deri në 30 ditë, një hap i rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe
Kina ka vendosur të miratojë udhëtimin pa viza për shtetasit e Mbretërisë së Bashkuar për qëndrime deri në 30 ditë, duke shënuar një ndryshim të rëndësishëm në marrëdhëniet mes dy vendeve. Lajmi u bë i ditur nga kryeministri britanik Keir Starmer.
Sipas informacioneve të publikuara nga BBC, vendimi u lejon qytetarëve britanikë të udhëtojnë drejt Kinës pa vizë për periudha të shkurtra, pavarësisht qëllimit të vizitës. Me këtë hap, Mbretëria e Bashkuar trajtohet tashmë njësoj si rreth 50 vende të tjera, përfshirë Francën, Gjermaninë dhe Australinë.
Duke folur për marrëveshjen, Starmer u shpreh se bizneset britanike prej kohësh kanë kërkuar më shumë lehtësi për të zgjeruar praninë e tyre në tregun kinez. Ai theksoi se lehtësimi i rregullave të vizave për udhëtime afatshkurtra do të ndihmojë kompanitë të rriten jashtë vendit, duke nxitur njëkohësisht rritjen ekonomike dhe krijimin e vendeve të punës në Mbretërinë e Bashkuar.
Paralelisht me këtë zhvillim, Londra ka njoftuar nisjen e një studimi fizibiliteti për arritjen e një marrëveshjeje mbi tregtinë e shërbimeve mes dy vendeve. Nëse realizohet, kjo marrëveshje do të krijojë rregulla transparente dhe ligjërisht të detyrueshme për kompanitë britanike që operojnë në Kinë. Aktualisht, Mbretëria e Bashkuar eksporton rreth 13 miliardë paund shërbime në vit drejt Kinës.
Një tjetër element kyç i afrimit ekonomik është edhe deklarata e kompanisë britanike AstraZeneca, e cila ka shprehur gatishmërinë për të investuar rreth 15 miliardë dollarë në Pekin deri në vitin 2030. Investimi pritet të fokusohet në kërkim dhe zhvillim, si dhe në zgjerimin e prodhimit farmaceutik, duke mbështetur mijëra vende pune edhe në Mbretërinë e Bashkuar.
Vendimi për heqjen e vizave shihet si një sinjal i qartë i afrimit politik dhe ekonomik mes Londrës dhe Pekinit, në një periudhë kur të dyja palët synojnë thellimin e bashkëpunimit tregtar dhe investimeve strategjike.
