
I akuzuari betohet për fëmijët e tij dhe deklaron se martesa ishte e lumtur, ndërsa Prokuroria këmbëngul se krimi ishte i planifikuar
Në seancën gjyqësore të zhvilluar këtë të enjte, i pandehuri Naim Murseli ka dhënë dëshminë e tij para trupit gjykues, duke mohuar kategorikisht çdo përfshirje në vrasjen e bashkëshortes së tij, Liridona Ademaj, e ndodhur dy vite më parë.
Murseli ka deklaruar se nuk ka pasur asnjë marrëveshje për kryerjen e krimit dhe se nuk ka qenë i pranishëm në automjet në momentin kur ndodhi vrasja. Ai është betuar publikisht për dy fëmijët e tij, duke theksuar se ndodhej rreth 20 metra larg vendngjarjes dhe se as fëmijët nuk ishin në makinë.
Gjatë dëshmisë, i akuzuari ka mohuar ekzistencën e konflikteve bashkëshortore, duke përshkruar marrëdhënien me bashkëshorten si të mirë dhe të qëndrueshme. Ai tha se ishte i martuar me Liridonën prej më shumë se 12 vitesh, se kishin dy fëmijë dhe se familja e tyre kishte jetuar në Suedi, ku ajo kishte fituar edhe shtetësinë suedeze. Sipas tij, Liridona ishte një grua e mrekullueshme, një nënë e përkushtuar dhe një bashkëshorte e devotshme.
Nga ana tjetër, Prokuroria ka qëndruar në versionin se vrasja ishte e planifikuar. Sipas aktakuzës, krimi dyshohet se është kryer nga Granit Plava në këmbim të një shume prej 30 mijë eurosh, ndërsa arma dyshohet se është siguruar nga Murseli përmes Kushtrim Kokallës.
Gjatë procesit gjyqësor, organi i akuzës ka paraqitur prova materiale dhe pamje filmike të përfshira në dosjen e rastit, të cilat, sipas hetuesve, tregojnë se ngjarja ka zgjatur rreth shtatë minuta dhe ka qenë e organizuar. Seanca pritet të vijojë me dëgjimin e palëve të tjera dhe shqyrtimin e mëtejshëm të provave.
