
Nga uraniumi i pasuruar dhe raketat balistike te sanksionet dhe ndikimi rajonal, Uashingtoni dhe Teherani kanë kërkesa thelbësisht të kundërta
Shtetet e Bashkuara dhe Irani po përfshihen gjithnjë e më shumë në retorikë armiqësore, ndërsa anije luftarake amerikane po pozicionohen në Detin Arabik, në një kohë kur vendet e rajonit po përpiqen të nxisin zgjidhje diplomatike për të shmangur një përshkallëzim ushtarak.
Presidenti amerikan Donald Tramp paralajmëroi këtë javë se koha po mbaron për Iranin që të rikthehet në tryezën e bisedimeve për arritjen e një marrëveshjeje të re mbi programin e tij bërthamor.
Tramp deklaroi se forcat detare që SHBA po dërgon pranë Iranit janë më të mëdha edhe se ato të dislokuara pranë brigjeve të Venezuelës, përpara operacionit ushtarak të 3 janarit, kur forcat speciale amerikane rrëmbyen presidentin venezuelian Nicolas Maduro nga Karakasi.
Sipas tij, presioni ushtarak synon ta detyrojë Teheranin të pranojë kushte të reja në lidhje me pasurimin e uraniumit, zhvillimin e raketave balistike dhe ndikimin e Iranit në Lindjen e Mesme.
Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi iu kundërpërgjigj kërcënimeve të Trampit, duke deklaruar se forcat e armatosura iraniane janë me gishtin në këmbëz dhe të gatshme për t’u përgjigjur menjëherë dhe fuqishëm ndaj çdo sulmi të ri amerikan.
Përshkallëzimi aktual vjen shtatë muaj pas bombardimeve amerikane ndaj objekteve bërthamore iraniane, gjatë luftës 12 ditore mes Iranit dhe Izraelit vitin e kaluar. Në përgjigje, Irani goditi bazën ajrore Al Udeid në Katar, e përdorur nga forcat amerikane, si dhe disa qytete izraelite me raketa.
Në fillim të këtij muaji, Tramp u ishte drejtuar protestuesve iranianë, të përplasur me forcat e sigurisë, duke u thënë se ndihma ishte në rrugë dhe duke kërcënuar me bombardime ndaj Iranit. Më pas, ai zbuti qëndrimin, pasi Teherani dha sinjale se protestuesit e arrestuar nuk do të ekzekutoheshin.
Ndërsa të dyja palët duken në prag të një përballjeje të re, kërkesat bazë mbeten të pandryshuara prej vitesh. SHBA kërkon kufizim të plotë të programit bërthamor iranian, ndalimin e raketave balistike dhe reduktimin e ndikimit të Teheranit në rajon. Irani, nga ana e tij, kërkon heqjen e sanksioneve, njohjen e të drejtës për pasurim bërthamor dhe ndalimin e presionit ushtarak amerikan.
Përplasja e interesave dhe mungesa e kompromisit po rrit frikën se kriza mund të kalojë nga lufta e fjalëve në një konflikt të hapur me pasoja të rënda për rajonin dhe më gjerë.
