Avokati Idajet Beqiri ka lëshuar një deklaratë të bujshme sa i përket rastit të zhdukjes së Bleona Matës.
I ftuar në “Ftesë në 5” në Top Channel, ai u shpreh se babai i vajzës mund të ketë lidhje në zhdukjen e saj, kjo pasi është treguar prej vitesh shumë indiferent për këtë çështje.
“Fjalët e mia shkojnë edhe për të atin. S’ka treguar kurrë interes për këtë. Për fat të keq, ai është pjesë e lojës. Këtë ju a them unë me bindje. Hetimet do vazhdojnë dhe jam i bindur se shumë shpejtë do shkojmë te foleja e grerëzave. Problemi është që babai del keq shumë në këtë lojë”, u shpreh avokati.
Ai gjithashtu shtoi se Bleona Matës ka disa opsione pse ajo nuk ka bërë ende asnjë reagim pas 15 vitesh, duke hequr çdo mundësi që ajo të ketë ndërruar jetë.
“Për mua është gjallë. Por çdo gjë ndodh në këtë vend. Ne kemi parë edhe filma. Dikush thotë që pse nuk del vajza të flasë diku. Tani është 21 vjeçe. Si nuk i dërgon fjalë nënës së vetë. Në atë moshë që ka qenë, trysnia që është shtuar mbi të, frika që ka përjetuar, kanë bërë që një pjesë e kujtesës t’i eliminohet. Nga ana tjetër, mos të harrojmë që përdorin dhe medikamente të ndryshme që ta heqin kujtesën. Kjo është një enigmë në kuptimin e parë të fjalës. Nuk ka shpjegim të mos reagonte. Duhet të reagonte patjetër.
Në aspektin e harresës ekstreme. Që ajo nuk di që Bukuria është nëna e saj. Nuk flas për probleme që mund të lidhen me frustimin e saj.
Në Greqi, ku mendohet se ka jetuar, thuajse 1/3 e asaj popullsie janë shqiptarë. Edhe Gjermani e njëjta gjë. Mendohet se ka shkuar nga Greqia në Gjermani.
SPAK-u do i shkojë deri në fund. Çdo version është hedhur. Janë edhe ato mendjet e prishura që e kanë ngrënë arinjtë ose ndonjë kafshë e egër, por do ishte gjetur diçka. Të gjitha janë përralla. Këto më bëjnë të besoj që vajza jeton”, shtoi ai.
