
Një kamion u përplas me një minibus pranë Durbanit, vetëm pak ditë pasi një tjetër aksident i ngjashëm i mori jetën 14 fëmijëve, duke ngritur alarmin për sigurinë rrugore
Një tjetër tragjedi rrugore ka tronditur Afrikën e Jugut, ku të paktën 11 persona kanë humbur jetën pasi një kamion u përplas dhunshëm me një minibus taxi. Mes viktimave raportohet edhe një nxënës shkolle. Aksidenti ndodhi pranë qytetit Durban, në provincën KwaZulu-Natal, në lindje të vendit.
Sipas dëshmitarëve, drejtuesi i kamionit ka kryer një kthesë të papritur në formë U-je, duke shkaktuar përplasje ballore me minibuzin. Zëdhënësi i shërbimit lokal të urgjencës konfirmoi se të gjitha 11 viktimat humbën jetën në vendngjarje, ndërsa disa persona të tjerë mbetën të plagosur rëndë. Mes tyre është edhe drejtuesi i minibusit, i cili u nxor i bllokuar nga mjetet e shkatërruara.
Autoritetet e transportit bënë me dije se kamioni po qarkullonte me goma të konsumuara në mënyrë të paligjshme, ndërsa licenca e drejtuesit të minibusit kishte skaduar që në vitin 2023. Hetimet paraprake po shqyrtojnë shkeljet serioze të rregullave të qarkullimit nga të dyja palët.
Kjo ngjarje e rëndë vjen vetëm pak ditë pas një tjetër aksidenti fatal pranë Johanesburgut, ku një minibus që transportonte nxënës u përplas me një kamion, duke shkaktuar vdekjen e 14 fëmijëve. Në atë rast, drejtuesi i minibusit u arrestua dhe u akuzua për 14 vrasje, pasi dyshohet se po parakalonte në mënyrë të rrezikshme para përplasjes.
Ministrja e Transportit e Afrikës së Jugut shprehu shqetësim të thellë për rritjen e numrit të viktimave në aksidentet që përfshijnë transportin publik dhe urdhëroi nisjen e një hetimi të plotë nga autoritetet përkatëse. Një raport paraprak pritet të publikohet brenda 48 orëve.
Minibusët taxi janë forma kryesore e transportit publik në Afrikën e Jugut dhe përdoren nga rreth 70 për qind e popullsisë për lëvizjet e përditshme. Afrika mbetet kontinenti me shkallën më të lartë të vdekjeve nga aksidentet rrugore në botë, me rreth 300 mijë viktima çdo vit, një shifër që përbën afro një të katërtën e totalit global.
