Media belge La Libre ka raportuar seancën gjyqësore të 29 janarit në Bruksel lidhur me vrasjen e Ardit Spahiut, të ndodhur më 27 nëntor në Molenbeek. Në seancë, përmes videotelefonatës nga Emiratet e Bashkuara Arabe, dëshmoi bashkëshortja e Franc Çopjas, i akuzuari kryesor i çështjes. Ajo e përshkroi Çopjan si një bashkëshort besnik dhe jo agresiv, duke theksuar se ai nuk kishte ngritur kurrë zërin dhe se nuk kishte dijeni për ndonjë aktivitet kriminal të tij, ndërsa këmbënguli se ai është i pafajshëm.
Në të njëjtën seancë, përmes videokonferencës dëshmoi edhe një shtetas shqiptar rreth të 30-ave nga Elbasani, vendlindja e viktimës, i cili deklaroi se njihte familjet Alibej dhe Çopja, mes të cilave ekziston një konflikt i hershëm që prej vitit 2018. I pyetur nga gjykatësja për një sherr të vitit 2017 ku përfshihej Franc Çopja, dëshmitari e cilësoi atë si një mosmarrëveshje të vogël, duke mohuar pretendimet se ishin përdorur armë, siç ishte raportuar në mediat shqiptare.
Ndërkohë, një ekspert i ADN-së që dëshmoi gjatë seancës bëri me dije se në vendin e ngjarjes nuk është gjetur asnjë material gjenetik tjetër përveç ADN-së së Ardit Spahiut dhe shoferit të automjetit. Franc Çopja akuzohet nga prokuroria belge si organizator dhe porositës i vrasjes, si dhe drejtues i një grupi të strukturuar kriminal të përfshirë në trafik droge dhe pastrim parash. Ai u ekstradua nga Dubai në Belgjikë më 30 dhjetor 2023 dhe ndodhet i paraburgosur në burgun e Haren, ndërsa ndaj tij ekziston edhe një urdhër arresti ndërkombëtar i lëshuar nga autoritetet shqiptare.
