
I dënuar me 9 vite burg nga Gjykata e Apelit e Torinos, Festim Keci pritet të ekstradohet drejt Italisë pas operacionit policor Decision
Një shtetas shqiptar i dënuar me 9 vite burg nga drejtësia italiane është arrestuar në Shijak, në kuadër të një operacioni policor për kapjen e personave në kërkim ndërkombëtar. Bëhet fjalë për Festim Kecin, 53 vjeç, banues në Shijak.
Arrestimi u krye nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Shijak dhe Forcat Operacionale të DVP Durrës, si pjesë e operacionit të koduar Decision. Operacioni u zhvillua pas informacioneve të siguruara në rrugë operative për vendndodhjen e tij.
Sipas njoftimit zyrtar të policisë, 53-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi në vitin 2023 ishte dënuar nga Gjykata e Apelit e Torinos me 9 vite burg për trafik të lëndëve narkotike, pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe shfrytëzim prostitucioni, vepra të parashikuara nga Kodi Penal italian.
Pas arrestimit të përkohshëm, materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, me qëllim vijimin e procedurave për ekstradimin e tij drejt Itali.
Autoritetet shqiptare theksojnë se bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë vijon për lokalizimin dhe arrestimin e personave të shpallur në kërkim për vepra të rënda penale, si pjesë e angazhimit për goditjen e krimit të organizuar.
