
Hudhra përmban alicinë, një substancë natyrale me veti antibakteriale dhe antifungale që ndihmon në luftimin e mikrobeve
Pastrimi i tualetit është një nga punët më pak të preferuara në shtëpi, por edhe një nga më të domosdoshmet. Ekspertët e higjienës paralajmërojnë se WC-ja është një nga ambientet më të ndotura, ku shumohen me shpejtësi bakteret dhe kërpudhat, veçanërisht kur pastrimi shtyhet.
Së fundmi, në rrjetet sociale po qarkullon një truk i pazakontë por interesant: hedhja e një thelbi hudhre në tualet. Edhe pse tingëllon e çuditshme, hudhra njihet prej shekujsh si një “ilaç natyral” me veti të forta dezinfektuese.
Arsyeja lidhet me përbërësin aktiv të hudhrës, alicinën, një substancë që ka efekt antibakterial dhe antifungal. Alicina ndihmon në pengimin e shumimit të baktereve dhe kërpudhave, edhe në ambiente ku lagështia dhe ndotja i favorizojnë ato, siç është tualeti.
Sipas këshillave që qarkullojnë online, mjafton të qërohet një thelb hudhre dhe të hidhet në WC, zakonisht gjatë natës, duke e lënë të veprojë për disa orë. Në mëngjes, tualeti shpëlahet normalisht. Ky veprim nuk zëvendëson pastrimin klasik me produkte higjienike, por mund të shërbejë si një ndihmë shtesë natyrale për reduktimin e mikrobeve.
Megjithatë, specialistët theksojnë se për një higjienë të plotë, pastrimi i rregullt me detergjentë të përshtatshëm mbetet i domosdoshëm. Hudhra mund të jetë një ndihmë natyrale interesante, por jo një zgjidhje e vetme për pastërtinë e tualetit.
