
Sipas një raporti të New York Times, administrata amerikane po analizon operacione të zgjeruara ushtarake kundër Iranit; nga goditja e objekteve bërthamore deri te bastisje direkte në territorin iranian
Administrata e presidentit amerikan Donald Tramp po shqyrton një sërë opsionesh të reja ushtarake kundër Iranit, të cilat shkojnë përtej planeve të diskutuara më herët gjatë protestave kundër regjimit në Teheran. Lajmi raportohet nga New York Times, duke cituar zyrtarë amerikanë të njohur me diskutimet e brendshme.
Sipas raportit, në tryezën e Tramp janë paraqitur skenarë që përfshijnë dëmtimin e mëtejshëm të objekteve bërthamore dhe raketore iraniane, si dhe veprime të drejtpërdrejta për dobësimin e udhëheqjes së lartë të vendit, përfshirë edhe figurën e liderit suprem Ali Khamenei.
Një nga opsionet më të diskutuara, sipas burimeve, është zhvillimi i bastisjeve të forcave speciale amerikane brenda territorit iranian, të ngjashme me operacionin e kryer në Venezuelë në fillim të janarit, ku SHBA ndërhyri pas dështimit të përpjekjeve diplomatike dhe kanaleve të fshehta.
Raporti thekson se forcat amerikane mund të synojnë pjesë të programit bërthamor iranian që nuk janë goditur gjatë bombardimeve amerikane të qershorit të kaluar. Paralelisht, një tjetër skenar përfshin sulme të koordinuara ndaj objektivave ushtarake dhe politike, me synimin për të krijuar kushte për ndryshim regjimi, edhe pse mbetet e paqartë se kush do ta drejtonte Iranin në një situatë të tillë.
Një alternativë tjetër, e mbështetur veçanërisht nga Izrael, është një goditje e re ndaj programit të raketave balistike të Iranit, i cili sipas zyrtarëve amerikanë është rindërtuar pothuajse plotësisht pas sulmeve izraelite gjatë konfliktit 12-ditor të qershorit.
Në të njëjtën kohë, SHBA ka rritur ndjeshëm praninë ushtarake në rajon. Aeroplanmbajtësja USS Abraham Lincoln ndodhet në distancë goditjeje nga Irani, e shoqëruar nga shkatërrues raketorë dhe avionë luftarakë, ndërsa janë dislokuar edhe sisteme shtesë mbrojtjeje Patriot dhe THAAD për të mbrojtur trupat amerikane nga një kundërpërgjigje e mundshme iraniane.
Pavarësisht këtyre përgatitjeve, Tramp po kombinon kërcënimet ushtarake me sinjale diplomatike, duke shpresuar se presioni maksimal do ta detyrojë Teheranin të rikthehet në tryezën e negociatave. Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë ka deklaruar se presidenti shpreson të mos ketë nevojë për veprime ushtarake, por se SHBA ka shumë opsione në dispozicion nëse Irani refuzon një marrëveshje.
Situata mbetet e tensionuar, ndërsa ekspertët paralajmërojnë se një përshkallëzim i tillë do të kishte pasoja të rënda për stabilitetin rajonal dhe global.
