
Departamenti i Drejtësisë deklaron se publikimi masiv përmbush ligjin e transparencës, ndërsa shtohen dyshimet për dokumente të mbajtura sekret
Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së ka publikuar një nga paketat më të mëdha dokumentare në historinë e tij, duke nxjerrë mbi 3 milionë faqe materiale hetimore që lidhen me financierin e ndjerë dhe të dënuar për krime seksuale, Jeffrey Epstein. Publikimi u shoqërua gjithashtu me më shumë se 2 mijë video dhe rreth 180 mijë imazhe.
Në një konferencë për shtyp të mbajtur të premten në Uashington, zëvendësprokurori i përgjithshëm i SHBA-së, Todd Blanche, deklaroi se ky veprim përmbush detyrimin ligjor të përcaktuar nga Kongresi përmes Aktit të Transparencës së Dosjeve Epstein, i miratuar vitin e kaluar me mbështetje dypartiake.
Sipas Blanche, procesi i identifikimit dhe shqyrtimit të dokumenteve ka qenë i gjatë dhe i detajuar, me qëllim garantimin e transparencës ndaj publikut amerikan dhe respektimin e ligjit. Ai theksoi se janë hequr ose fshehur vetëm ato pjesë që mund të rrezikonin hetime në vazhdim ose të ekspozonin viktima të mundshme të abuzimit seksual.
Megjithatë, administrata e presidentit Donald Tramp është përballur me kritika lidhur me ritmin e publikimit dhe nivelin e redaktimeve në dokumentet e bëra publike. Vetë Tramp ka qenë objekt pyetjesh për marrëdhënien e tij të mëparshme me Epstein, i cili kishte ndërtuar një rrjet të gjerë kontaktesh me figura të fuqishme politike, ekonomike dhe mediatike.
Blanche mohoi kategorikisht pretendimet se Departamenti i Drejtësisë ka mbrojtur individë të fuqishëm, përfshirë edhe presidentin. Ai deklaroi se nuk ekziston asnjë paketë e fshehtë dokumentesh dhe se nuk ka prova që të çojnë drejt ndjekjes penale të personave të tjerë, përveç atyre që tashmë janë dënuar.
Publikimi i fundit vjen pasi Departamenti i Drejtësisë kishte humbur një afat të përcaktuar në dhjetor për nxjerrjen e plotë të dosjeve. Ligji i miratuar nga Kongresi kërkonte publikimin e të gjitha dokumenteve federale që lidhen me Epstein, ndërsa qindra juristë janë angazhuar për të shqyrtuar materialet dhe për të mbrojtur identitetet e viktimave.
Sipas autoriteteve, të gjitha gratë e përmendura në dosje, me përjashtim të Ghislaine Maxwell, janë anonimizuar në materialet vizuale të publikuara. Maxwell, ish-partnere e Epstein, po vuan një dënim me 20 vite burg për trafikim seksual të të miturve, ndonëse vazhdon të mohojë akuzat.
Publikimi ka nxitur reagime edhe në Kongres, ku disa ligjvënës demokratë kanë ngritur pikëpyetje mbi faktin se nga mbi 6 milionë faqe të identifikuara fillimisht, vetëm rreth 3.5 milionë janë bërë publike. Ata kërkojnë sqarime se pse pjesa tjetër e dokumenteve vazhdon të mbahet e fshehtë.
Ndër zbulimet e para nga dosjet e reja përfshihen email-e dhe mesazhe me figura të njohura ndërkombëtare, si dhe materiale hetimore mbi burgosjen dhe vdekjen e Epstein në vitin 2019, e cilësuar zyrtarisht si vetëvrasje. Deri tani, asnjë nga personat e përmendur në dokumente nuk është akuzuar penalisht, përveç Maxwell.
Çështja Epstein vazhdon të mbetet një nga skandalet më të errëta në historinë e fundit të SHBA-së, me pasoja politike dhe shoqërore që ende po shpalosen.
