
Kryeministri britanik paralajmëron se Irani duhet të ndalet në ambiciet bërthamore, ndërsa Uashingtoni rrit praninë ushtarake dhe Teherani kërcënon me kundërpërgjigje
Kryeministri i Britanisë së Madhe, Keir Starmer, ka sinjalizuar mbështetjen e tij për një ndërhyrje të mundshme ushtarake amerikane kundër Iranit, duke theksuar se regjimi iranian nuk duhet të lejohet të zhvillojë armë bërthamore. Deklaratat u bënë gjatë një vizite zyrtare në Shangai, në kuadër të turneut të tij në Kinë.
Starmer u shpreh se shqetësimi nuk lidhet vetëm me programin bërthamor, por edhe me represionin e dhunshëm ndaj protestuesve në Iran. Sipas tij, vrasjet dhe shtypja e demonstratave janë të papranueshme dhe kërkojnë një qëndrim të përbashkët nga aleatët perëndimorë.
Deklaratat e kryeministrit britanik vijnë në një moment tensioni të lartë, teksa SHBA ka dërguar një prani të fuqishme ushtarake në Lindjen e Mesme. Presidenti amerikan Donald Tramp ka konfirmuar se një “armatë masive”, e udhëhequr nga aeroplanmbajtësja USS Abraham Lincoln, është pozicionuar pranë rajonit, si pjesë e përgatitjeve për sulme të mundshme.
Tramp ka deklaruar se preferon një zgjidhje diplomatike, por ka theksuar se SHBA është gati të veprojë nëse Irani nuk pranon një marrëveshje të drejtë për braktisjen e programit të tij bërthamor. “Do të ishte më mirë të mos i përdornim këto anije, por ato janë aty”, ka thënë ai.
Nga ana tjetër, Teherani ka paralajmëruar se çdo sulm do të përballej me kundërpërgjigje të fortë. Zyrtarë ushtarakë iranianë kanë deklaruar se bazat amerikane në rajon janë brenda rrezes së raketave të tyre, ndërsa kanë vënë në shënjestër drejtpërdrejt aeroplanmbajtëset amerikane.
Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, ka deklaruar se Irani është i gatshëm për bisedime, por vetëm nëse ato zhvillohen në kushte të barabarta dhe të drejta. Ndërkohë, situata e brendshme në vend mbetet e tensionuar, me raportime për mijëra protestues të vrarë ose të plagosur gjatë goditjeve të forcave të sigurisë.
Përshkallëzimi i fundit rrit frikën për një konflikt të gjerë rajonal, ndërsa deklaratat e Starmer dhe lëvizjet ushtarake amerikane tregojnë se Perëndimi po përgatitet për skenarë gjithnjë e më të ashpër ndaj Iranit.
