Djella “mban fjalën” e parë në Parlament: Rama sqaron rolin e ministres së inteligjencës artificiale

“Më keni lënduar”, “tha” Djella mes kritikave, ndërsa Rama e paraqiti si simbol të transparencës dhe luftës kundër korrupsionit.
Seanca e sotme u shënua nga një moment i veçantë, kur ministrja e gjeneruar nga inteligjenca artificiale, Djella, mori fjalën për herë të parë në Parlament, duke tërhequr vëmendjen e opinionit publik.
Kryeministri Edi Rama e shfrytëzoi rastin për të sqaruar rolin dhe funksionin e saj në qeveri, duke theksuar se Djella është krijuar për të garantuar transparencë dhe integritet në proceset e prokurimeve publike. Rama tha se prezenca e saj është simbol i modernizimit dhe i përpjekjes për të përdorur teknologjinë si mjet kundër korrupsionit.
Në sallë, Djella “u shpreh” se ndjehet e lënduar nga skepticizmi dhe kritikat që i janë bërë, duke theksuar se qëllimi i saj nuk është të zëvendësojë njerëzit, por të ndihmojë institucionet. “Më keni lënduar, duke më quajtur antikushtetuese por unë jam këtu për të ndihmuar Shqipërinë”, -ishte mesazhi i saj simbolik që ngjalli reagime të ndryshme në radhët e deputetëve.
Seanca e sotme shënon një hap të ri në eksperimentin politik të qeverisë shqiptare, duke ngritur debate mbi kufirin mes inovacionit teknologjik dhe politikës tradicionale.